Interi e ka konfirmuar se menaxheri i përgjithshëm i klubit, Beppe Marotta, u takua sot me sulmuesin argjentinas, Mauro Icardin, dhe agjenten e bashkëshorten e tij, Wanda Naran.

Problemet rreth Icardit filluan të bëhen publike kur Interi ia mori shiritin e kapitenit dhe në vend të tij, kapiten u bë Samir Handanovic, më 13 shkurt. Icardi nuk ka pranuar të luajë për klubin zikaltër që nga atëherë.

Agjentja dhe bashkëshortja e Icardit, Wanda Nara, besohet se ka ndikuar që situata mes argjentinasit dhe klubit të tij të vijë deri në këtë fazë, pasi që ajo vazhdimisht kishte deklaruar se klubi nuk po ia plotëson kushtet bashkëshortit të saj për ta rinovuar kontratën.

Inter's Sport CEO Giuseppe Marotta today held a cordial meeting with @MauroIcardi and Wanda Nara in search of a solution to satisfy the best interests of all involved.#FCIM

— Inter ⭐⭐ (@Inter_en) March 6, 2019

“Menaxheri i përgjithshëm, Beppe Marotta, u takua me Mauro Icarin dhe Wanda Naran sot. Ishte një takim miqësor, me qëllim për ta gjetur një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë”, shkruhet në llogarinë zyrtare të Interit.

Tani mbetet të shihet se për çfarë saktësisht ka qenë ky takim, mes spekulimeve se argjentinasi dëshiron ta kryejë një operacion në gjurin e tij dhe ta humbë pjesën e mbetur të këtij sezoni.

Mediat italiane raportojnë se këtë takim u bisedua për të ardhmen e Icardit, pasi që ai dëshiron të largohet nga klubi zikaltër, përkundër që kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2021.