Inter apo Juve, Conte vendos përfundimisht dhe pranon kontratën

Antonio Conte do të jetë trajner i Inter për tre vitet e ardhshme. Kështu shpjegojnë të gjithë zërat, që vërtetojnë edhe një herë marrëveshjen e trajnerit italian me zikaltrit.

Ditë më parë u bë e qartë se Conte do firmoste me Interin kontratë 3-vjeçare me pagë 9 milionë euro në sezon. Mirëpo shkarkimi i Massimmiliano Allegrit nga Juventus krijoi hije dyshimi, se Conte mund të bënte prapaktheu për t’u ulur edhe një herë tjetër në stolin e “Zonjës së Vjetër”.

Ka qenë tabloidi britanik “The Guardian” që konfirmoi se ish-trajneri i Chelsea do të merrte drejtimin e Interit. Pak pas medies angleze ka qenë edhe gazetari i “Sky Sport”, Fabrizio Romano që ka raportuar të njëjtën skemë si “Corriere dello Sport”: Conte do të firmosë me Interin sapo të mbarojë java e fundit e Serie A dhe largimi i Allegrit nuk ka ndikuar fare në vendimin e tij.

Conte do të zërë vendin e Luciano Spalletti, i cili do të shkarkohet edhe pse ka dy vite kontratë me Interin.