Konferenca e Ambasadorëve në Londër

Instituti i Historisë “Ali Hadri” dhe UP-ja organizojnë konferencë shkencore “Çështja shqiptare në konferencën e Ambasadorëve në Londër”

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, përkatësisht departamenti i Historisë organizojnë konferencë shkencore “Çështja shqiptare në konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913)”.

Nëpërmjet një ftese bëhet e ditur se konferenca do të mbahet të enjten më 26 tetor 2023 me fillim nga ora 10:00 në objektin e Fakultetit Filozofik.

Ftesa:

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Austro-Hungaria u përfaqësua nga ambasadori Memdsdorf. Gjermania u përfaqësua nga ambasadori Lichnowsky. Italia u përfaqësua nga ambasadori Imperiali. Rusia u përfaqësua nga diplomati Benckerdorff. Britania e Madhe u përfaqësua nga ministri i jashtëm i saj Grey. Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.