E çuditshme

Inspektorati i Punës inspekton në rrugën “Muharrem Fejza”, s’gjen asnjë shkelje

Inspektorati i Punës nuk ka mundur të gjejë shkelje në mënyrën se si kryhen punimet në ndërtim përgjatë rrugës “Muharrem Fejza”.

Ky institucion ka organizuar një aksion në rrugën “Muharrem Fejza”, te Lagja e Spitalit, në Prishtinë pasi në mëngjes ka marrë një informatë se në një objekt era ka larguar skelet dhe po rrezikohet jeta e punëtorëve. Pavarësisht kësaj sipas raportimeve të banorëve punëtorët po punonin edhe në atë gjendje.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, duke kërkuar bashkëpunim nga të gjithë mekanizmat përkatës dhe të gjithë qytetarët për evidentimin e parregullsive në sektorin e ndërtimeve të larta, ka thënë se ky raportim me fotografi fatkeqësisht nuk është zbuluar, që sipas tij, kjo kompani mund t’i ketë eliminuar ato parregullsi.

“Inspektorati së bashku me ju nuk kanë arrit të identifikojë vendin ku është ajo ndërtesë. Unë besoj shumë se ajo kompani është e inspektuar edhe në fushatën të cilën e kemi pasur para dy javësh dhe në bazë të pamje të cilat edhe unë i kam parë se edhe ato pengesa sigurie kanë qenë krejtësisht të dobëta dhe në njëfarë mënyrë ajo kompania ka kryer një farë obligimi që i ka dhënë inspektori shkel e shko. Mirëpo, me këtë edhe një herë pasqyrohet se sa është punë e vështirë e Inspektoratit dhe inspektorëve në terren”, tha Ibrahimi.

Kryeinspektori është i vendosur se janë të interesuar që të vejnë rend dhe rregull sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, sepse fatkeqësisht numri i punëtorëve që kanë rënë nga ndërtesat e larta është i madh.

“Jemi të interesuar që të vejmë rend dhe rregull sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, e posaçërisht sigurimin e jashtëm të objekteve, sepse fatkeqësisht ne gjatë këtij viti kemi pasur shtatë raste të rënies nga lartësia. E një prej elementeve të rëndësishme janë edhe skelet ose masat mbrojtëse në ndërtesat e larta të ndërtimit”, tha Ibrahimi.

Madje, sipas tij, nuk po arrijnë plotësisht ta mbikëqyrin sektorin e ndërtimeve dhe vendeve të punës, për shkak të numrit të vogël të inspektorëve.

“Fatkeqësisht nuk po arrijmë që plotësisht ta mbikëqyrim sepse numri i vogël i inspektorëve e kufizon një gjë të tillë, por edhe me vet faktin që sot edhe ju vet e vërtetuat, edhe unë jam i bindur që ajo kompani është e inspektuar para pak ditësh, mirëpo prapë se prapë gjendja në bazë të pamjeve shihet çfarë është. Andaj, edhe kjo sjellje e punëdhënësve që të kamuflojnë ndërmarrjen e masave e bënë edhe më të vështirë punë e inspektorëve… Ne kemi pasur rastin që dy punëdhënës vet kanë qenë viktimë e masave të cilat nuk i kanë ndërmarrë”, theksoi ai.

Ibrahimi ka shtuar se përgjegjësia për vdekjet e punëtorëve në vendin e punës nuk bie vetëm mbi Inspektoratin e Punës, sepse një prej shkaktarëve kryesor për vdekjet në vendin e punës, sipas tij, është përgjegjësi edhe e vet punëdhënësit, i cili nuk i ndërmerr të gjitha ato masa të cilat janë të përcaktuara me Ligjin për Siguri në Punë.

Ndryshe, sivjet kanë vdekur në vendin e punës 19 punëtorë në Kosovë.