Insistues për Asociacionin në Beograd, Escobar në Prishtinë pak më i kujdesshëm

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Përendimor, Gabriel Escobar para takimit të Ohrit, ka takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në përpjekje për të arritur një zgjidhje ndërmjet dy vendeve.

Përderisa gjatë vizitës në Beograd, Escobar ka folur në mënyrë të prerë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të themelohet dhe është obligim ndërkombëtar, në Kosovë është treguar më I rezervuar dhe nuk e ka përmendur shumë, vetëm se është shfaqur optimist që të shtunën do të arrihet një marrëveshje, shkruan Demokracia.com.

“Është Kosova që e ka nënshkruar këtë marrëveshje. Ligjërisht Qeveria e Kosovës është e obliguar që ta zbatojë atë. Është një obligim ndërkombëtar. Kështu e shohim ne”, është shprehur Escobar për Telegraf.rs.

Ai ka theksuar se asociacioni do të themelohet me patjetër. “Është në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit të Evropës. Do të bëhet realitet. Do të ndodhë. Çështja është se vetëm cila qeveri do të jetë ajo që do ta zbatojë. Sa më parë që bëhet, aq më mirë”., tha ai nga Beogradi.

Në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Escobar ka thënë se është optimist për një rezultat pozitiv nga takimi i nesërm në Ohër.

Emisari amerikan ka përsëritur se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të siguruar paqe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe tërë rajonit.

“I mirëpres takimet shumë produktive në Ohër bashkë me Kurtin dhe Vuçiq. Ne kemi për qëllim që të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë e pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euroatlantik dhe ne mendojmë se ky propozim evropian i lehtësuar nga BE-ja mundëson një shansë të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dyja vendeve. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë, por jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin që të zhbllokohet disa prej burimeve më të mira që Ballkani ia ofron vetes dhe të tjerëve. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam optimist, shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore dhe shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, është shprehur Escobar

Edhe Osmani ka thënë se pret rezultat pozitiv nga takimi i Ohrit në mes të kryeministrit Kurti, e presidentit serb, Vuçiq. Osmani ka shtuar çdo përpjekje e Serbisë për të penguar këtë rezultat të marrëveshjes përmes kushtëzimeve mund të dëmtojë procesin e dialogut.

“Në besojmë që një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë rezultat përmes kushtëzimeve mund ta dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete për Kosovën dhe rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serbe në institucionet e Republikës, kjo do të rezultojë pastaj më shpërbërjen efektive dhe të menjëhershme të strukturave ilegale të Serbisë.

Osmani po ashtu ka shtuar se marrëveshja përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke.
“Pritshmëria ime si presidente është se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme, për Kosovën, rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serbe në institucionet e Republikës, kjo do të rezultojë pastaj më shpërbërjen efektive dhe të menjëhershme të strukturave ilegale të Serbisë, po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke”, është shprehur Osmani.

Ajo ka thënë se do të punohet për arritjen e konsensusit në vend për t’u siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet bashke me planin e zbatimit të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe zbatimi i saj të bëhet në mënyrë efektive.

“Është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e zbatueshme dhe e implementueshme dhe të mbështetet nga populli dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Do të vazhdojmë të punojmë për konensus në vend dhe për të siguruar që marrëveshje pasi të nënshkruhet me planin e zbatimit të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe zbatimi i saj të bëhet në mënyrë efektive”, ka thënë Osmani.

Escobar gjatë ditës ka pasur takim edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

Në një komunikatë pas takimit Qeveria e Kosovës ka theksuar se Kurtid he Escobar, diskutuan për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.

“Pas takimeve të shumta në Strasburg me udhëheqës dhe deputetë të Parlamentit Evropian, ku u vlerësua lartë progresi demokratik i Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, priti në Prishtinë Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkë me z. Escobar dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder. U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, përfundon komunikata.

Escobar gjatë vizitës në Prishtinë, ka takuar edhe kryetarin e PArlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe krerët e partive opozitare, PDK, LDK e AAK.