Komuna e Prishtinës

INPO fton Kuvendin e Prishtinës ta shfuqizojë vendimin për këmbimin e pronave

Organizata INPO ka ftuar Kuvendin e Komunës së Prishtinës që të shfuqizojë vendimin e datës 26.12.2023, për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit, siç thuhet, me qëllim të ruajtjes së ligjshmërisë dhe parandalimit të shpërdorimit eventual të pronës së paluajtshme komunale.

Në kërkesën e INPO-s thuhet ata e kanë bërë vlerësimin e vendimit për këmbimin e pronave mes komunës dhe personave fizikë, dhe kanë gjetur një varg shkeljesh dhe mosplotësim të kushteve ligjore, të cilat i kanë renditur në gjatë pikat e mëposhtme:

Neni 24.2. i Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës (LDhShKPPK) ka përcaktuar se “Prona e paluajtshme e komunës mund të këmbehet vetëm për sigurimin e pronës për qëllime të përmbushjes së interesit publik, në përputhje me kompetencat ligjore të nivelit të qeverisjes lokale”. Nisur nga fakti se interesi publik është kriteri kryesor që lejon këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës dhe rëndësisë kruciale të arsyetimit të një vendimi administrativ, do të mjaftonte vetëm kjo arsye që ky vendim të konsiderohej i kundërligjshëm, pasi që Kryetari i Komunës ka dështuar të argumentoj se si përmes këtij këmbimi synohet të përmbushet ndonjë interes publik i komunës apo qytetarëve të saj.

Në dispozitivitin e vendimit thuhet se “Këmbimi i pronave të paluajtshme me pronarët e cekur në pikën II të Vendimit, është bërë për shkak të realizimit të Planit rregullues “Prishtina e Re – Zona Qendër”, i miratuar me Vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, 01 nr. 035-18686′., të dt. 010.2013”. Ky këmbim është paradoksal me qëllimin që citohet në dispozitivin e këtij vendimi. Kjo pasi prona e cila përmes këtij këmbimi u jepet personave fizik është pikërisht prona që gjendet në zonën ku synohet realizimi i këtij projekti. Pra, përderisa thuhet se synimi është realizimi i planit rregullues “Prishtina e re”, pikërisht në këtë pjesë u jepet prona personave fizik. Ndërsa, për këtë synim, merret një pronë në Zonën Kadastrale në Zllatar, që gjeografikisht nuk ka të bëjë asgjë me projektin “Prishtina e re – Zona Qendër”.

Neni 24, paragrafi 3 i LDhShKPPK përcakton se “Për fillimin e procedurave të këmbimit të pronës së komunës, obligohet kryetari i komunës që paraprakisht të siguroj një raport zyrtar të vlerësimit se nuk ekzistojnë prona tjera të komunës të përshtatshme për këtë qëllim”. Ky raport i mungon si vendimit ashtu edhe propozim vendimit që i ka paraprirë nxjerrjes së vendimit. Si rrjedhojë, as ky kriter i lejueshmërisë së këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës nuk është përmbushur.

Paragrafi 4 i nenit 24 të LDhShKPPK përcakton se “Në bazë të rekomandimeve nga raporti profesional nga paragrafi 3 i këtij neni, prona e cila këmbehet duhet të jetë shpall paraprakisht nga Kuvendi i Komunës si pronë me interes publik, përveç nëse nevoja për pronën e tillë arsyetohet në planet zhvillimore të komunës”. Vendimi nuk jep arsyetim as për këtë çështje derisa në bazë të procedurës së ndjekur, duke pasur parasysh vendimin dhe propozimin që i ka paraprirë nxjerrjes së këtij vendimi, shihet qartazi se edhe ky kriter është anashkaluar.

Paragrafii 5 i nenit 24 të LDhShKPPK, që përcakton se “Për realizimin e këmbimit të pronës paraprakisht duhet të jenë të siguruara mjetet financiare për realizimin e projektit me interes publik”. Para marrjes së vendimit as ky kriter nuk është përmbushur.

Paragrafi 5 i nenit 25 të LDhShKPPK ka përcaktuar se “Komuna duhet të sigurojë vlerësimin e pronës së paluajtshme të komunës e cila është planifikuar për këmbim, në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi”. Neni 3.1.1.14 i këtij Ligji përcakton se “Organi për vlerësimin financiar të pronës e cila këmbehet – nënkupton organin i cili bën vlerësimin financiar të pronës në kuadër të ministrisë përgjegjëse për financa”. Në pikën IV të dispozitivit të vendimit është theksuar se “Para shpalljes publike të vendimit, do të bëhet vlerësimi i kualifikuar i vlerës së tregut të pronës së paluajtshme të Komunës dhe vlerësimi i pronës private, ku do te përcaktohen sipërfaqet e sakta të këmbimit”. Çuditërisht, kjo dispozitë vendoset në vendimin i cili tanimë është shpallur publikisht. Ndërsa, ky vendim, përfundimtar në procedurë administrative, nxirret pa u përmbushur ky element procedural. Pra, vendimi për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës nxirret pa vlerësim të tregut të pronave të cilat këmbehen.

Të gjitha këto mangësi në plotësimin e kritereve ligjore të vendimit dhe procedurës së ndjekur për këmbimin e pronave mes komunës dhe personave fizikë, sipas INPO-s, e bëjnë këtë vendim të kundërligjshëm dhe arbitrar që nuk i shërben interesit publik dhe cenon rëndë besimin e qytetarëve në punën e organit më të lartë vendimmarrës në komunë, Kuvendit.

“Për më tepër, raportimet e medias se personat fizikë me të cilët është bërë këmbimi i pronave, kanë qenë klientë apo bashkëpunëtorë të kryetarit të Komunës para se ky i fundit të zgjidhej, ngrisin dyshime të bazuara rreth ekzistimit të konfliktit të interesit në këtë proces dhe anëtarët e Kuvendit duhet të sigurohen se situatat e konfliktit të interesit të shmangen sipas standardeve ligjore në mënyrë që vendimmarrja të jetë e ligjshme dhe në shërbim të interesave të përgjithshme të qytetarëve dhe në asnjë mënyrë të grupeve apo personave të caktuar”, thuhet në kërkesë.

Në kërkesë thuhet se debati publik dhe situata e krijuar pas raportimeve të medieve rreth këtij vendimi ka cenuar skajshmërisht besimin e publikut në organet vendimmarrëse të komunës.

“Heshtja e Kuvendit të Komunës, si organ i cili ka miratuar këtë vendim, fuqizon edhe më tepër dyshimet e bazuara për mungesën e ligjshmërisë së vendimit dhe integritetit të tërësishëm të këtij procesi. Andaj, bazuar në kompetencat e dhëna sipas Ligjit për Vetqeverisje Lokale, Rregulloren (MAPL) Nr. 02/2021 për Procedurën e Hartimit dhe Publikimin të Akteve të Komunës, dhe sipas autorizimeve të nenit 55 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë në këtë çështje, INPO i bën thirrje Kuvendit Komunal që në mbledhjen e radhës ta shfuqizoj këtë vendim”, thuhet në kërkesë.

KOHA ka raportuar se me propozim të ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kaluar vendimi për dhënien e pronës rreth 7-hektarëshe në “Prishtina e Re” biznesmenit Rrahman Haradini, në këmbim të rreth 10 hektarëve që i kishte në pronësi në Badoc. Mbi bazën e këtij vendimi, edhe kryetari aktual Rama e ka nënshkruar kontratën me ish-klientin e tij. Mbi po të njëjtën bazë ka propozuar këmbimin edhe të një prone tjetër me vlerë dhjetëra miliona euro, me pronën 8-hekatëshe në Badoc. Vendimi i fundit ka kaluar edhe me ndihmën e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, prezenca e të cilëve në sallën e Kuvendit Komunal u interpretua nga kryesuesi si kuorum për vendimmarrje.

Pas raportimit të KOHËS, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim parapenal. E për këtë këmbim prone, Komuna e Prishtinës do të përballet edhe me padinë e ushtruar të enjten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Në padinë për inicimin e konfliktit administrativ thuhet se në vendimin që e ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk janë aplikuar fare dispozitat ligjore, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka insistuar se nuk ka shkelje ligjore në procesin e këmbimit të pronave komunale me ato të ish-klientëve të tij. Në një konferencë për media, ai e quajti sulm ndaj tij dhe punës së Komunës.

Prona komunale që është këmbyer me atë në Badoc të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga një proces i nisur më 2021 nga ish-kryetari Shpend Ahmeti dhe një proces i ri i vitit 2024, kap vlerën e dhjetëra miliona eurove. Bazuar në çmimet në treg, një pronë rreth 7-hektarëshe në zonën Prishtina e Re më së liri kushton 23 milionë euro, ndërsa më së shtrenjti rreth 33 milionë euro. E për sipërfaqen që është këmbyer në Badoc, çmimet sillen prej 2 milionë e 400 mijë deri në 5 milionë e 300 mijë euro.

VIDEO BONUS: Kurti: Destruktiviteti i Beogradit nuk duhet të përkthehet në ngadalësim të procesit të integrimit