Legjenda e katalanasve

Iniesta: Barça mund ta fitojë Ligën e Kampionëve

Andres Iniesta shpreson se viti 2019 do të sjellë titullin e gjashtë në Ligën e Kampionëve për ish-skuadrën e tij, Barcelonën, derisa e pranon se ka një konkurrencë të jashtëzakonshme.

Në fazën e parë të eliminimit direkt Barça do të përballet me Lyonin, derisa synon që të triumfojë në këtë garë, pasi këtë se ka bërë që nga viti 2015.

“Gjithmonë mendoj se Barcelona mund ta fitojë Ligën e Kampionëve. Janë ambiciozë, dhe me synimin që të fitojnë gjithçka. Megjithatë, ka momente kur gjërat shkojnë mirë e ndonjëherë keq. Ky ekip meriton të fitojë më shumë Liga të Kampionëve se sa që ka fituar deri tani. Shpresoj që sivjet ta bëjnë këtë hap që u ka munguar viteve të fundit”, ka thënë Iniesta për Sport.

Megjithatë, sipas tij s’do të jetë e lehtë të shkohet në finalen e Madridit më 1 qershor. E ai sheh konkurrentë të fortë edhe Cityn, PSG-në e Liverpoolin.

“Është e vështirë të mendohet që ata, City e PSG, s’do të jenë afër të triumfojnë në Ligën e Kampionëve. Ekipet që kanë, skuadrat, investimet, dhe trajnerët, ata duhet të luftojnë për këtë trofe. Gjithashtu dua të shtoj edhe Liverpoolin, që po duket shumë e mirë sivjet. Problemi me Ligën e Kampionëve qëndron në faktin se është turne shumë i vështirë. Një ditë e keqe mund t’i diskualifikojë”, shprehet Iniesta.