Iniciativa e fundit e Putinit që prek ushtarët rusë

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli shtatorin e kaluar dekretin e mobilizimit të pjesshëm në vend, që detyroi 300 000 rezervistë të shkonin në frontin e betejës. Kremlini vendosi stimuj të ndryshëm me synimin për të motivuar zhvendosjen e këtyre njerëzve në Ukrainë.

Pagat që variojnë nga 2 000 deri në 6 000 euro, zbritjet dhe lehtësitë e përfitimit nga ndihma shtetërore, ishin disa nga metodat e shpërblimit që Kremlini vuri në dispozicion të rezervistëve. Megjithatë, Putin ka ndërmarrë një iniciativë të re: ushtarët rusë do të mund të ngrijnë spermën pa asnjë kosto. Një masë që prek 300 000 burra nga mosha 18 deri në 45 vjeç.

Kjo masë ofron mundësinë që burrat të ruajnë spermën e tyre në rast se gjymtohen ose vriten në luftime. Një nismë që do të jetë në fuqi deri në vitin 2024, pasi nga Rusia parashikojnë që lufta të zgjasë edhe 2 vjet të tjera. Një zgjidhje që do t’u mundësonte këtyre rezervistëve të kenë fëmijë në rast se vdesin ose humbin aftësinë riprodhuese.

Në këtë mënyrë, Ministria e Shëndetësisë bëri të qartë se masa prek vetëm dhe ekskluzivisht këta persona të mobilizuar si rezultat i dekretit për mobilizim të pjesshëm. Mediat lokale në Shën Petersburg raportuan rritjen e numrit të meshkujve që tashmë kanë shkuar në klinikat e fertilitetit për të ngrirë spermën.

Ditët e fundit, Putin është treguar i gatshëm të negociojë me Ukrainën kushtet për t’i dhënë fund luftës. Kushti thelbësor që Kremlini ka vendosur në këtë drejtim është fakti që Ukraina të marrë parasysh “realitetin aktual” në lidhje me katër rajonet ukrainase që Moska aneksoi në shtator, siç konfirmoi Dmitri Peskov, këshilltar i presidentit rus.