Infermieri shqiptar: Gjendja në Itali po shkon drejt stabilizimit, italianët na janë mirënjohës

Në emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi ishte i ftuar me anë të një lidhjeje në “Skype” infermieri Korab Gjana.Korab Gjana, është pjesë e 30 pjesëtarëve të personelit mjekësor shqiptar, që shkuan në Itali, për t’i ardhur në ndihmë vendit fqinj në luftën ndaj koronavirusit.

Gjatë fjalës së tij, infermieri u shpreh se situata përtej Adriatikut është më e stabilizuar dhe fatmirësisht rastet e të infektuarve dhe viktimave po pësojnë rënie.

Gjithashtu ai tha se e kishin shumë të lehtë të ambientoheshin me situatën e krijuar, pasi veç intensitetit, procedurat e të punuarit janë të përafërta me ato të vendit tonë. “Italianët na janë mirënjohës”, tha Korabi, “sapo i prezantohemi që jemi shqiptarë na buzëqeshin dhe na trajtojnë shumë mirë.”

“Jemi në javën e dytë të punës dhe jemi përshtatur mjaft mirë. Tani gjendja është më e stabilizuar dhe çdo gjë vazhdon mirë. Ne punojmë 40 orë në javë dhe turnet ndahen në varësi të ditëve, varet se si do të jetë nevoja. Nëse kanë pasur nevojë për një turn ekstra ne jemi të gatshëm. Gjithsesi jemi përshtatur. Trajtimi është i njëjtë dhe nuk kemi pasur vështirësi për ambientimin. Janë të njëjtat medikamente që përdoren si në Shqipëri. Shpërndarja jonë u bë në varësi të eksperiencës. Unë jam vendosur në repartin e infektivit, pasi kam bërë disa trajnime në Shqipëri. Situata në fund të marsit ka qenë pika kulminante, tashmë situata është më e stabilizuar. Edhe stafi italian ka fituar eksperiencë dhe ndahen më me rregull punët. Pacientët e shtruar janë mbi 75 vjeç. Deri më tani ka rënie, por nuk duhet që situata të neglizhohet, pasi infektohen dhe të tjerët. Italianët janë shumë mirënjohës për gjestin që ka bërë Shqipëria. Tek pacientët kur prezantohemi që jemi delegacioni i Shqipërisë, na shprehin mirënjohje”, u rrëfye infermieri.