Infermierët ua dorëzojnë peticionin krerëve të shtetit, kërkojnë vazhdimin e kontratave të punës

Peticioni me 128 nënshkrime u është dorëzuar sot nga infermierët krerëve të shtetit.

Infermierët po protestojnë duke kërkuar vazhdimin e kontratave të punës.

Përfaqësuesja e infermierëve, Arlinda Mustafa, tha se fillimisht peticioni i është dorëzuar presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.Mustafa tha se përveç ShSKUK-së të gjitha institucionet e tjera shtetërore e kanë protokolluar peticionin e tyre. Ajo sqaron se dje është dorëzuar peticioni në ShSKUK dhe sekretari ka kërkuar që të mos dorëzohet përsëri pasi do ta protokollojnë peticionin që është dorëzuar dje.

“Është dorëzu edhe në ShSKUK por sekretari ka thënë i kemi dokumentet që i keni lënë dje dhe se do të protokollohen”, tha Mustafa për KALLXO.com.

Ajo thotë se për të enjten në ora 9:00 janë duke planifikuar të protestojnë përsëri përballë Ministrisë së Shëndetësisë, për të njëjtën arsye – vazhdimin e kontratave të punës.

Rrezikuan edhe shëndetin e tyre duke trajtuar pacientët me COVID-19, por rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja klinikave të SHSKUK dhe QKMF, në trajtimin e pacientëve gjatë pandemisë COVID-19, nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

Infermierët ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj punë. E Ministria e Shëndetësisë (MSH) i ka njoftuar se këto kontrata nuk do të vazhdohen më.