Gianni Infantino është kandidati i vetëm i regjistruar për zgjedhjet e presidentit të FIFA-s, që do të mbahen më 5 qershor në Paris.
Zvicerani me origjinë italiane, i cili e mban aktualisht këtë post, nuk do të ketë asnjë kundërshtar në zgjedhje, pasi asnjë person tjetër nuk ka aplikuar për të garuar përballë 48-vjeçarit.
Gjithsesi, edhe kandidatura e Infantinos duhet të kalojë filtrat e plotësimit të kritereve dhe të integritetit, përpara se të zyrtarizohet si i vetmi kandidat.
Infantino u zgjodh për herë të parë president i FIFA-s në vitin 2016, pas dorëheqjes së Joseph Blatter, që ishte rikonfirmuar në zgjedhjet e vitit 2015. Mandati i ardhshëm (sipas të gjitha gjasave me Infantinon president) do të përfundojë në vitin 2023.







