Incidenti i sotëm me Rrahman Jasharajn, VV tenton ta paraqes si sulm të mësuesve ndaj plakut

Këshilltari për Çështje Ligjore i ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj e ka komentuar sulmin fizik që ka ndodhur sot ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke e paraqitur atë si sulm ndaj personit që e kreu sulmin.

Sipas Dervishajt, personi që sulmoi Jasharajn po kërkonte të drejtat e mbesave dhe nipërve të tij.

“Një ish-shef kabienti i ministrit të MASHTI dhe një kandidat për pozitë politike nga partitë opozitare i vërsulen një plaku që kërkon të drejtën e mbesave dhe nipërve të tij”, ka shkruar ai në Facebook.

“Ndikimi dhe presioni i deridjeshëm në mesnatë dhe në errësirë, sot edhe publikisht para kamerave. Çfarë mizorie”, ka shkruar ai.

Paraditën e sotme, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, një qytetar e sulmoi kryesindikalistin e arsimit, Rrahman Jasharajn. Nga Prokuroria i kanë thënë Gazetës Express se kanë nisur hetimet rreth tentim sulmit të Rrahman Jasharajt.

Jasharaj tha sot pas incidentit se ka pasur tentim të sulmit ndaj tij “nga një prind”. Ai tha se mund të sulmohet edhe në rrugë. “Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë”, deklaroi Jasharaj pas incidentit.

Pas këtij incidenti, gjyshi i nxënëses është deklaruar për media, duke e quajtur Rrahman Jasharaj si “armik të nxënëseve”.

“Mbesën time e kam regjistruar në klasë të parë sivjet. Erdha të pyes a po fillon mësimi apo jo. Hyra në sallë ku po mbahej mbledhja e Sindikatës. E pashë, armikun e këtyre nxënësve, se askënd tjetër nuk e ofendoj vetëm atë personalisht. Ai e ka marrë një kokëfortësi në vete e i ka nda edhe arsimtarët edhe arsimin. Ky është armik, më i zi se shkau”, deklaroi ai pas përplasjes në klasë.