Incidentet në ndeshjen Lyon-Marseille, merret vendimi

Pas incidenteve në Lyon-Marseille, dhe shtyrjes së ndeshjes për një datë për t’u përcaktuar, vijnë edhe masat e para nga Komisioni Disiplinor i LFP, Ligës Franceze të Futbollit.

Vendimi paraprak është ai për të skualifikuar për një javë Grupama Stadium, impiantin e Olympique Lyon, deri në një vendim përfundimtar që mund të jetë edhe më i ashpër. Ndeshja e ardhshme në shtëpi e skuadrës së Bosz, në program të mërkurën e 1 dhjetorit kundër Reims do të luhet pa publik, ndërsa vendimet përfundimtare do të bëhen të ditura në 8 dhjetor.

Ndeshja e kampionatit u ndërpre pas vetëm 6 minutash, pasi një shishe uji e hedhur nga tifozët goditi në kokë Dimitri Payet. Lojtari i Olimpique Marseille mori ndihmën e shpejtë, dhe pasi provuan të qetësonin tifozët, arbitri dhe kapitenët e skuadrave vendosën të ktheheshin në dhomat e zhveshjes, duke pezulluar përkohësisht takimin, para se Liga e Futbollit të vendoste shtyrjen e tij.

Që nga fillimi i sezonit Ligue 1 është mbushur me episode të këtij lloji, preçendenti më i bujshëm ishte ai në Nice-Marseille të 22 gushtit, ndeshje që u ndërpre në minutën e 28-të, pas një sherri të madh mes tifozëve, lojtarëve dhe stafeve teknike të klubeve.

Edhe në këtë rast zënka shpërtheu pas hedhjes së një shisheje nga tribunat në drejtim të Payet, reagimi i të cilit bëri që tifozët të pushtonin terrenin e lojës në kërkim të përballjes fizike. Në atë rast Komisioni Disiplinor vendosi që ndeshja duhej të luhej në një fushë neutrale dhe me dyer të mbyllura, me takimin që u luajt në 27 tetor dhe përfundoi 1-1.

Nisa u dënua me 2 pikë penalizim në klasifikim, njëra prej të cilëve u pezullua dhe me 3 ndeshje skualifikim të fushës. Në pritje të një vendimi përfundimtar të Komisionit Disiplinor në lidhje në aspektin sportiv, Olimpique Marseille ka lëvizur në drejtim të drejtësisë penale duke prezantuar një denoncim për agresionin e pësuar nga Payet.

4 persona u arrestuan që të dielën mbrëma nga policia dhe dy prej këtyre gjenden ende në arrest shtëpie pasi akuzohen se kanë marë pjesë në incidentet që shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes dhe njëri prej tyre është autori i aktit të hedhjes së shishes.