Imri Ahmeti, nënkryetari i Lidhje Demokratike të Kosovës ka thënë se janë të pavërteta raportimet se ai ka shprehur pakënaqësi për koalicionin e partisë së tij me AAK-në, Nismën e minoritetet, shkruan Insajderi.
Madje, Ahmeti i ka cilësuar tendencioze raportimet e tilla, duke theksuar se në Mbledhjen e Kryesisë nuk është diskutuar fare për koalicionin e ri, por vetëm për marrëveshjet e arritura deri tani me këto parti.
“Ato çka po raportohen janë totalisht të pa vërteta, as që është diskutu në Mbledhje të Kryesisë çështja e koalicionit sepse atë e ka vendos më herët Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e gjitha çka është diskutuar në mbledhje është çështja e marrëveshjeve të arritura me partitë në koalicion. Ajo çka po raportohet është totalisht tendencioze”, ka thënë Ahmeti për Insajderi.
Bazuar në burimet e Kohës, në mbledhjen e djeshme të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, pakënaqësi për këtë koalicion përveç Imri Ahmetit kanë shprehur edhe Gazmend Muhaxheri e Anton Quni.
Në anën tjetër, thuhet se edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, është shprehur kundër këtij koalicioni, rrjedhimisht që nuk ka pranuar të jetë pjesë Qeverisë Hoti.
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimi që dekreti i presidentit, Hashim Thaçi për të mandatuarin për kryeministër, Avdullah Hoti është pezulluar deri më 29 maj.







