Imami që drejtoi një organizatë për terrorizëm, i priu sot marshit pro-palestinezëve në Prishtinë

Imami i xhamisë “Hasan Beg”, e njohur si xhamia e ‘4 Llullave’ në Prishtinë, Husamedin Abazi, e ka prirë protestën e sotme në Prishtinë, e organizuar si marsh solidarizues me popullin palestinez, pas konfrontimeve të fundit me raketa, me Izraelin, në Gaza.

Imami Abazi, bashkë me një grup të vogël qytetarësh, dolën në sheshin kryesorë të Prishtinës, duke mbajtur në duar disa pankarta “në solidaritet me popullin palestinez”.

Madje, ne mesin e tyre ishte edhe një pankartë me mesazh të çuditshëm si ajo “Liria jonë nuk është e plotë pa lirinë e popullit palestinez”, e pankarta të tjera të ngjashme, deri tek brohoritjet “Poshtë fashizmi i shtetit izraelit”.

Marshi u thirr para dy ditësh, për t’u mbajtur sot, nga një grup aktiv në Facebook, “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.

Mbështetje marshit ku nuk mungoi as valimi i flamurit së Palestinës, i dhanë me praninë e tyre edhe deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, dhe ish-këshilltar i kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi.

Por kush është imami që priu marshuesit në organizimin e grupit feminist kosovar?

Husamedin Abazi, një imam i njohur në Prishtinë, për shkak se drejton një prej xhamive kryesore në kryeqytet, dhe me xhamat të madhe, siç është xhamia “Hasan Beg”, apo e njohur si Xhamia te 4 Llullat, në qendër të Prishtinës.

Abazi, si imam, për vite të tëra kishte drejtuar një organizatë jo-qeveritare, shkruan Reporteri.net. Fjala është për organizatën ‘AKEA’, që ishte mbyllur nga shteti, sikurse edhe 15 organizata tjera në Kosovë, pasi dyshoheshin se ishin të përfshira në aktivitete anti-kushtetuese, të rekrutimit të luftëtarëve shqiptarë që luftuan në Siri e Irak, përkrah organizatave terroriste ‘Al-Nussra’ e ISIS, financimin e aktiviteteve ekstremiste si dhe përhapjen e propagandës në mbështetje të aktiviteteve ekstremiste në Kosovë.

Aktiviteti i kësaj organizate fillimisht ishte pezulluar në vitin 2014, kur edhe kishte ndodhur aksioni i madh anti-terrorizëm i shtetit kosovar dhe autoriteteve të sigurisë në vend, në ndjekjen intensive të organizatave dhe imamëve që përgatisnin kosovarët për të shkuar për luftë në Siri.

E më vonë, në vitin 2016, Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA, organizatë e njohur në Kosovë si njëra nga OJQ’të më të fuqishme kosovare me orientim edhe fetar, bashkë me 15 organizata tjera, ishin mbyllur krejtësisht nga atëkohë Ministria e Administratës Publike, shkruan Reporteri.net.

Ministria, në vendimin e tyre nuk kishte dhënë detaje për arsyet specifike të pezullimit të veprimtarisë së këtyre OJQ-ve, e sot e kësaj dite as autoritetet e sigurisë nuk kanë sqaruar nëse dyshimet e ngritura ndaj kësaj OJQ-je dhe disa tjerave të jenë konfirmuar apo të jenë hedhur poshtë.

Mediumi ‘Gazeta Express’, në vitin 2014, kishte raportuar se AKEA është e lidhur me lëvizjen politike islamike “Vëllazëria Myslimane” e cila vite më parë e mori pushtetin në Egjit me Muhamed El-Morsin, por që e humbën pushtetin pas një viti me një grusht-shtet nga gjenerali El-Sisi, i cili tash është Kryetar i zgjedhur i Egjiptit.

“Vëllazëria Myslimane” në Egjipt dhe disa vende arabe konsiderohet organizatë terroriste, shkruan Reporteri.net, derisa anëtarët e saj konsiderohen të afërt me krijuesit e Hamasit, grupit militantë palestinezë në Gaza, të cilët nga e hëna në mbrëmje raportohet se kanë shkrepur më shumë se 1.000 raketa në drejtim të Izraelit, kur luftimet u përshkallëzuan në mënyrë dramatike pas disa ditëve të trazirave në Jerusalem.

Si pasojë e kundërpërgjigjes nga ana e shtetit të Izraelit, sipas medieve ndërkombëtare, në Gaza raportohet të kenë mbetur të vrarë 119 palestinezë, duke përfshirë këtu edhe 31 fëmijë dhe 19 gra. Ndërkohë që rreth 530 palestinezë tjerë raportohet se kanë mbetur të plagosur në sulmet ajrore të Izraelit që kanë shkuar në 103.

Në mesin e viktimave raportohet të jenë edhe disa militantë të Hamasit, përfshirë edhe komandantë të grupit të armatosur, dhe disa pjesëtarë të një organizate tjetër guerile në Gaza.