Imami i xhamisë në Tiranë në të cilën ndodhi sulmi: Pesë personat e plagosur janë besimtarë

Një sulm me thikë ka ndodhur mesditën e sotme në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë.

Pesë persona mbetën të plagosur pasi një person i sulmoi me thikë, njofton Klan Kosova.

Imami i xhamisë, Ahmet Kalaja në Edicionin Special në Klan Kosova ka folur më shumë rreth sulmit teksa tregoi se në kohën kur ndodhi kjo në xhami ishe kohë qetësie dhe nuk kishte fluks të besimtarëve.

“Nuk ka qenë kohë falje faktikisht ka qenë rreth orës 14:30 pas drekës dhe një person mesa duket me të meta mendore dhe me të gjitha gjasat është person me kartelë që ka probleme psikike. Ai ka shkuar tek piceria që është përballë xhamisë ka goditur atje dikë me thikë dhe pastaj ka ardhur ka goditur dikë në tretuar dhe është futur në xhami dhe ka goditur pesë besimtarë”.

“Pasi ka dalë nga xhamia prapë ka goditur njerëz jashtë në rrugë derisa disa nga xhematlinjtë e kanë vërejtur i kanë shkuar nga pas dhe e kanë ndaluar derisa ka ardhur policia dhe e ka arrestuar”, tha Kalaja.

“Ka qenë një kohë qetësie dhe në atë orar nuk ka njerëz kanë qenë vetëm stafi i xhamisë dhe dy ose tre besimtarë që kanë qenë duke lexuar Kur’an ose duke u falur. Ka qenë kohë e qetë dhe ata që janë dëmtuar pjesa më e madhe janë staf i xhamisë”.

Imami mes tjerash tha se personi që kreu këtë akt ishe në krizë nervore-psiqike.

“Ai sipas gjitha gjasave është munduar të ikë me shpejtësi por besimtarët dhe kalimtarët kanë vërejtur dyshime në lëvizjet dhe shpejtësinë e tij, i kanë shkuar nga pas. Kjo ka qenë gjë e mirë pasi shumë shpejt ka ardhur edhe policia dhe personi në fjalë është arrestuar”.

“Çfarë është pozitive në gjithë këtë situatë është se personi nuk ka pasur një prapavijë të caktuar që të themi se e bërë për x apo y arsye dhe sipas gjitha gjasave personi ka qenë në një kohë krize nervore-psiqike madje edhe deklaratat që ai ka bërë tregojnë se ai ka qenë duke përjetuar një moment kritik dhe ka përjetuar halucinacione dhe si pasojë e kësaj ka bërë një akt të tillë – teksa nuk ka bërë asnjë lloj thirrjeje apo ndonjë gjë tjetër”, u shpreh Kalaja.

Imami mes tjerash tha se ky person nuk është i njohur për të.