Në nëntor të vitit të kaluar, Osman Musliu, hoxhë në Drenas, dhe Eset Bajraktari, sekretar i Bashkësisë Islame në këtë qytet, u përfshinë në një përleshje fizike. Si pasojë e saj, të dy imamët përfunduan të arrestuar nga Policia e Kosovës.
Për këtë çështje, Prokuroria Themelore në Drenas pati ngritur aktakuzë për vepër penale sulmi ndaj të dy hoxhollarëve. Por, për shkak të pajtimit që kanë palët, Gjykata në Drenas ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë.
Megjithatë, mulla Osmani nuk ka mbetur pa u qortuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Ky institucion ka shqiptuar një vërejtje me shkrim për hoxhën nga Drenica me arsyetimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht sekretarin e BIK-ut në degën e Drenasit.

Ndonëse prokuroria kishte ngritur aktakuzë për sulm edhe ndaj Bajraktarit duke theksuar se të dy hoxhollarët ishin përfshi në këtë përleshje, BIK ka shqiptuar vërejtje vetëm ndaj Musliut.
Bajraktari ka konfirmuar se ndaj tij nuk është marrë asnjë masë disiplinore, ani pse Prokuroria kishte përfshirë në aktakuzë edhe atë sikurse mulla Osmanin.
“Po, është e vërtetë që jemi pajtu. Jo, mua nuk m’kanë dhanë vërejtje me shkrim, vetëm mulla Osmanit”, tha Bajraktari.
E për vërejtjen që mori nga BIK, ka reaguar mulla Osmani duke thënë se Kryesia e BIK-ut po shpërfillë vendimet e drejtësisë.
“Duket që Kryesia e BIK-ut, me vendimin e fundit, të cilin e ka marrë në mbledhjen e saj, ka një qëndrim tjetër nga ky i Prokurorisë dhe Gjykatës. Me vërejtjen me shkrim, Kryesia e BIK po tregon se ka një qasje mospërfillëse ndaj vendimeve të drejtësisë në Kosovë duke marrë masë disiplinore vetëm për njërën palë të përfshirë në këtë incident”, tha për Osmani për Reporterin
Por, ky vendim, Osmani thotë, të mos e ketë habitur. Sipas tij, me këtë vërejtje me shkrim BIK po dërgon mesazh tek servilët e tyre se ata mund të sillen si të donë.
“Ky veprim i çuditshëm nuk më ka habitur fare. Kjo është një praktikë normale e krerëve të BIK-ut ndaj atyre që nuk pranojnë të jenë servil të tyre. Ky është edhe një mesazh për servilët e tyre duke ua bërë me dije se mund të silleni si të doni, të keqpërdorni, të mashtroni e madje të sulmoni edhe fizikisht kë të doni, sepse për deri sa jeni servil ndaj nesh, ne do u mbrojmë qoftë edhe kunderligjshëm”, shtoi hoxha nga Drenica.
Reporteri ka kontaktuar edhe BIK duke i pyetur se si ky institucion e ka vlerësuar se vetëm Osmani është mëritor për këtë vërejtje me shkrim.
Kujtojmë që mulla Osmani, që ushtron profesionin e imamit në xhaminë e Drenasit, është kritik ndaj udhëheqësisë së BIK-ut, institucion që udhëhiqet nga Naim Tërnava.







