Afrim Haliti

Iluzioni i simbolizmit në Qeverinë Kurti

Shkruan: Afrim Haliti

Në qeverisje, veprimet simbolike shërbejnë si ‘qebe’ për të fshehur realitetet e zymta të dështimeve të qeverisë në fushat elementare si ekonomia, arsimi apo shëndetësia.

Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, vazhdimisht kanë përdorur me mjeshtëri simbolikat për të justifikuar mangësitë e tyre gjatë tre – katër viteve të fundit, duke paraqitur një kinse progres dhe duke lënë pas dore përmirësimet thelbësore në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Mes një realiteti të stagnimit ekonomik, deficiteve në fushën e arsimit dhe dështimeve në fushën e shëndetësisë ndër tjera, përdorimi që kjo qeveri i bënë gjesteve simbolike ofron pak ngushëllim për ata që përballen me vështirësitë e përditshme dhe tealitetin e hidhur. Spektakli i fundit i ndryshimit të tabelave të emërtimeve në pjesën veriore të Kosovës, zëvendësimi i emrave të fshatrave dhe qyteteve me ekuivalentët shqip, shërben si një shembull i qartë i kësaj tendence. Ndërsa veprime të tilla mund të kenë rëndësi emocionale për disa, ato bëjnë pak për të adresuar nevojat thelbësore dhe urgjente të popullsisë ose për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Për më tepër, këto manovra simbolike shpesh përkojnë në mënyrë perfekte me momentet kritike, duke e larguar vëmendjen nga aktivitetet dhe dështimet thelbësore të qeverisë. Koha e ndryshimit të këtyre llastrave, fill pas ndarjës së tokës Manastirit të Drçanit, nënvizon natyrën e mirë llogaritur të gjesteve të tilla simbolike. Në vend që të përballet ballë për ballë me sfida të vërteta, qeveria zgjedh shfaqjet sipërfaqësore, duke i dhënë përparësi asaj që shihet vizualisht kundrejt përparimit të prekshëm.

Në thelb, aplikimi e veprimeve simbolike nënvizon një shkëputje shqetësuese midis qeverisë dhe të qeverisurve. Derisa qytetarët kanë nevojë për ndryshime domethënëse dhe përmirësime konkrete në jetën e tyre të përditshme, ata përballen me një spektakël simbolizmi që ofron krejt pak substancë. Derisa kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje vazhdojnë t’i japin përparësi gjesteve simbolike mbi qeverisjen substanciale, hendeku midis premtimeve dhe realitetit po zgjerohet, deri atëherë kur qytetarëve të Kosovës t’u bie ndërmend se Albin Kurti dhe qeveria e tij janë vetëm duke e lozur një teatër sa të zbrazët, aq fatkeq.