Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka thënë se veprimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke ofruar dorëheqjen pas zgjedhjeve, është veprim që i kontribuon demokracisë.

“Ajo që ka bërë Lumiri është saktë ajo çka i duhet demokracisë së brendshme”, ka thënë Ferati në Kanal10.

Ferati i cili është edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka shtuar se Abdixhiku ka zgjedhur t’i nënshtrohet procesit demokratik, duke paraqitur dorëheqjen para kuvendit të partisë.

“Kur kryetari ofron dorëheqjen, me statut të LDK-së i bie që e gjithë kryesia jemi të dorëhequr”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për dorëheqjen e Hykmete Bajramit, e cila njëherit ka kërkuar edhe dorëheqjen e parevokueshme të Lumir Abdixhikut.

“LDK është më e madhe se emrat tanë individual. Sjelljet protagoniste janë të dëmshme. Këto sjellje nuk na bëjnë mirë. Kemi nevojë për unitet”, ka thënë Ferati.