IKSHPK-ja nis testimin në futboll, te Gjilani të gjithë dalin negativë

Gjilani është ekipi i parë në elitën e futbollit kosovar që i është nënshtruar testimeve për koronavirus nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Testet që janë bërë tek futbollistët e këtij klubi kanë rezultuar negativ. Lajmi është konfirmuar edhe në faqen zyrtare të klubit gjilanas në Facebook.

“Futbollistët, stafi teknik dhe personeli i klubit janë nënshtruar testeve në mëngjesin e së premtes në Institutin e Shëndetit Publik në Gjilan, me ç’rast të gjithë kanë rezultuar negative. Skuadra merr kështu konfirmimin për t’i vijuar seancat stërvitore në prag të rifillimit të edicionit 2019/20”, shkruhet ndër të tjerash në njoftimin e klubit Gjilani.

Të enjten, Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se testeve për Covid-19, do t’u nënshtrohen të gjithë anëtarët e ekipeve të Superligës së Kosovës në futboll.

Testimeve të premten te Gjilani nuk i janë nënshtruar vetëm gjashtë futbollistë: Oltion Rapa, Shkëlzen Ruçi, Gerhard Progni, Fjoart Jonuzi, Sebino Plaku, Franc Veliu dhe kryetrajneri Gentian Mezani. Këta të fundit i kanë bërë këto teste të enjten kur edhe rezultuan negativë dhe u liruan pas një jave karantinimi në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Po ashtu Gjilani ka shtuar se edhe dy lojtarët e tjerë të huaj, Darko Nikaq dhe Muhamed Useini, nga Mali i Zi, kanë dalë negativë në testet për koronavirus.