IKSHP ka vetëm 600 teste për coronavirus, ku mbeten 7 mijë testet që MSH tha se erdhën në Kosovë?

Kosova aktualisht ka vetëm 600 teste për zbulimin e rasteve me Covid-19, ka konfirmuar Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë.

Nga data 08 shkurt deri më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.720 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 423, me 10 raste të vdekjes.

Tri javë më parë, nga Ministria e Shëndetësisë, së udhëhequr nga Arben Vitia, është thënë se rreth 7 mijë teste të reja, që shërbejnë për të testuar pacientët që dyshohen se janë infektuar me coronavirus, kanë arritur në Kosovë.

Lajmi ishte bërë i ditur nga Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Materialet ose testet janë në Kosovë dhe ato mund të shfrytëzohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, testet ishin sjellë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Anglia, përmes një kompanie vendore.

Deklaratat e fundit nga OBSH në Kosovë, se aktualisht ka vetëm 600 teste, ndërkohë që deri më tash janë bërë gjithsej rreth 3 mijë teste, hedhin dyshime për deklaratat e mëhershme të Ministrisë së Shëndetësisë për arritjen e 7 mijë testeve të reja në Kosovë.

A është gënjyer opinioni publik për numrin e 7 mijë testeve, apo ato po mbahen të fshehura?

Ministria e Shëndetësisë ende nuk është deklaruar lidhur me këtë çështje.