Ikja nga Kosova: Mbi 540 mijë kosovarë emigrantë në Gjermani, çka na tregon raporti i GAP-it?

Instituti Gap ka publikuar sot një raport mbi migrimin e kosovarëve në Gjermani, duke analizuar në mënyrë statistikore lëvizjet në 12 vitet e fundit të emigrantëve nga Kosova. Në fakt, ky raport jep një sqarim detajues për numrin, moshën dhe gjininë e personave që kanë emigruar nga Kosova në drejtim të Gjermanisë, duke u bazuar në të dhënat e shtetit gjerman. Gjithashtu, në raport tregohen edhe arsyet kryesore të migrimit të kosovarëve në Gjermani. Çka na thonë statistikat?

Gjetja kryesore e analizës statistikore të institutit GAP ka të bëjë me numrin e saktë të diasporës kosovare në Gjermani. Sipas GAP-it, në Gjermani jetojnë 542 mijë personame sfond migrimi nga Kosova, nga të cilët 300 mijë kanë lindur në Kosovë.

“Sipas matjeve të vitit 2022, në Gjermani jetojnë 542 mijë persona me sfond migrimi nga Kosova, nga të cilët 300 mijë kanë lindur në Kosovë.” – thuhet aty.

Tutje, GAP ofron edhe një pasqyrë në lidhje me migrimin nga Kosova në Gjermani në periudhën mes viteve 2010-2022.

“Në periudhën 12 vjeçare, 2010–2022, vërehet rritje prej 251 mijë apo 86% më shumë persona me sfond migrimi nga Kosova në Gjermani. Të dhënat e tregut të punës në Gjermani tregojnë se, nga 264 mijë personaaktivë me sfond migrimi nga Kosova, 251 mijë janë të punësuar (160 mijë burra dhe 91 mijë gra), ndërsa 13 mijë janë të papunë (tetë mijë burra dhepesë mijë gra).” – shkruhet në raport, transmeton Nacionale.

Në raporton evidentohen edhe arsyet e migrimit të kosovarëve për në Gjermani. Sipas raportit, personat e lindur në Kosovë emigrojnë në gjermani kryesisht për bashkim familjar dhe kërkim të azilit. Sigurisht, nevoja për punë dhe arratisja, azil-kërkimi dhe mbrojtja ndërkombëtare listohen si arsye për emigrim të kosovarëve në Gjermani.

“Te dhënat nga viti 2017 deri në 2022 tregojnë se arsyet kryesore të emigrimit në Gjermani për të gjithë personat e lindur në Kosovë janë kryesisht bashkimi familjar dhe azil-kërkimi. Në vitin 2022, 110 mijë persona deklaruan se bashkimi familjar është arsyeja kryesore e emigrimit të tyre; 85 mijë persona deklaruan se arsyeja kryesore është arratisja, azil-kërkimi dhe mbrojtja ndërkombëtare; 64 mijë persona deklaruan si arsye punësimin, ndërkaq 41 mijë të tjerë emigruan për të krijuar familje.” – thuhet tutje në raport.

Në këtë raport mësohet se emigrantët nga Kosova në shumicë posedojnë diplomë të shkollës së mesme ose kualifikime profesionale.

“Të dhënat nga edukimi i përgjithshëm tregojnë se numri i personave të cilët posedojnë diplomë të shkollës së mesme është më i madh se ata të cilët nuk kanë diplomë të tillë. E njëjta nuk vlen për kualifikime profesionale, ku numri i personave të cilët nuk kanë kualifikime profesionale është konsiderueshëm më i madh se ata që kanë kualifikime të tilla.” – shkruhet tutje.

Ndryshe, pas 12 viteve, në nëntor të këtij viti, Kosova do të fillojë regjistrimin e popullsisë. Kujtojmë që Kosova në vazhdimësi është përballur me megrim të theksuar, ndërsa vetëm në vitin 2021, sipas Agjencisë së Statistikave, nga Kosova kanë ikur 42 mijë persona.