Sulmuesi i Interit, Muaro Icardi është zgjedhur futbollisti më i mirë i edicionit të kaluar në Serie A, teksa trajneri i vitit është zgjedhur ai i Juventusit, Massimiliano Allegri.

Icardi është bërë futbollisti i parë që e fiton këtë çmim e që nuk është pjesë e Juventusit që nga viti 2011, kur e fitonte Zlatan Ibrahimovic me fanellën e Milanit.

Ylli i Interit së bashku me sulmuesin e Lazios, Ciro Immobile ishin golashënuesit më të mirë të kampanjës së kaluar në Serie A me 29 gola të realizuar.

Argjentinasi që ka treguar formë të lartë edhe këtë sezon, ka thënë se e ka dëshmuar gjithmonë dashurinë e tij për Interin teksa synon të fitojë trofe me fanellën zikaltër.

“Jam i kënaqur që jam fitues i këtyre çmimeve sepse votuesit janë bashkëlojtarët dhe lojtarët e skuadrave tjera. Tashmë jam shpallur dy herë golashënuesi më i mirë i sezonit, shpresoj që të fitoj ndonjë trofe me Interin”, tha Icardi.

Në anën tjetër triumfi në Serie A i ndihmoi Massimiliano Allegri të fitojë çmimin e trajnerit më të mirë për të katërtën herë rradhazi.

“Kemi një grup me lojtarë të mrekullueshëm dhe një klub të madh që na mbështet. Jam me fat që kam punuar me lojtarë fantastik, ka qenë një nder për mua”, përfundoi Allegri.