Icardi padit Interin, kërkon 1.5 milionë euro

Ndërkohë që të gjithë shpresojnë në një zgjidhje konsensuale të situatës mes Interit dhe Mauro Icardit, një lajm “bombë” është publikuar mbrëmjen e djeshme nga një prej të përditshmeve më të mëdha në Itali, “La Gazzetta Dello Sport”.

Sipas kësaj të fundit, sulmuesi argjentinas i është drejtuar gjykatës për të zgjidhur problemet e tij me skuadrën, të nisura që në shkurt të këtij viti, por që kulmuan në fillim të verës, me Marottën që konfirmoi se ish kapiteni nuk bën më pjesë në planet e skuadrës.

Duke parë situatën e krijuar, Icardi ka paditur Interin në gjykatë, nga ku kërkon ri-integrimin e menjëhershëm në skuadër dhe dëmshpërblimin me 1.5 milionë euro, për gjithë atë që ka ndodhur gjatë kësaj vere.

Natyrisht që kjo lëvizje e argjentinasit nuk bën gjë tjetër veçse tensionon edhe më shumë raportet mes tij dhe klubit zikaltër, teksa kur kanë mbetur edhe 3 ditë nga mbyllja e merkatos, e ardhmja e Icardit mbetet ende e paqartë.

loading…