Është raportuar se Real Madridi do t’i bëjë ofertë Interit për sulmuesin Mauro Icardi, por ylli i “Nerazzurrëve” nuk sheh ndonjë arsye pse duhet të largohet nga “San Siro”.

Kapiteni i Interit mendon se nuk është koha e duhur të kalojë te Real Madridi, teksa është i vendosur të fitojë ndonjë trofe me klubin italian.

“Nuk mendoj se kjo është koha e duhur për të t’u larguar, dhe unë jam mirë këtu ku jam. Gjithmonë i kam qartësuar synimet e mija: e para ka qenë të kualifikohemi në Champions League me Interin, dhe e kemi arritur këtë. E dyta është të fitojmë diçka me Interin. Drejtori sportiv, Piero Ausilio ka formuar një ekip të mirë pavarësisht limitimeve në transferime”, u shpreh Icardi.

Kontrata e Icardit me Interin skadon në vitin 2021, ndërsa në tetor Ausilio pati deklaruar se së shpejti do ta rinovojnë atë, sidoqoftë ish sulmuesi i Sampdorias nuk ngutet në këtë çështje duke thënë se kur t’i vije koha do ta bëjë një gjë të tillë.

Icardi ka shënuar 7 gola në 10 paraqitje këtë sezon në Serie A, por është kritikuar për mos përfshirjen në lojën e Interit, 25 vjeçari ka pasur një përgjigje edhe për këtë.

“Sulmuesi duhet të shënojë, mesfushori të krijojë raste, mbrojtësi të mbrojë dhe portieri të presë gjuajtje. Njerëzit flasin shumë për përfshirjen time në lojë, me shumë prej tyre që thonë se është e dobët, por mua nuk më interesojnë aspak mendimet e gazetarëve dhe kritikëve. E di vetëm një mënyrë për të ndihmuar skuadrën dhe trajnerin, dhe ajo është të shënojë gola. Gjithmonë kam jetuar për golat, edhe si fëmijë kam shënuar shumë. Kam aftësinë për të shënuar, ky është misioni im”, përmbylli fjalët e tij Icardi.