Humbja 2-0

Icardi i pakënaqur me paraqitjen e Interit ndaj Barcelonës

Mauro Icardi mendon se Interi nuk ishte në standardin e formës në humbjen e mbrëmshme 2-0 ndaj Barcelonës në “Camp Nou”.

Zikaltërit shpresonin të përfitonin nga mungesa e Messit por golat nga Rafinha dhe Jordi Alba i siguruan 3 pikët e radhës Barcelonës, që e kryeson grupin B me pikë të plota, kurse Interi provoi shijen e humbjes për herë të parë teksa numëron 6 pikë në vendin e dytë.

“Mendoj se diferenca u bë në pjesën e parë, në të cilën ne nuk luajtëm në standardin e zakonshëm të Interit. Lejuam shumë hapësira dhe iniciativën për ta. Në pjesën e dytë detyruam Barcelonën të gabojë shumë pasime, por kemi mundur të bëjmë shumë më mirë duke i konkretizuar rastet që i krijuam”, tha Icardi.

Sulmuesi argjentinas shtoi se Interi do të tentojë të marrë pikë në sfidën e kthimit që zhvillohet me 6 nëntor në “Giuseppe Meazza”, për të siguruar kualifikimin për fazën tjetër në Champions League.