Në ndeshjen e humbur kundër Bolognas ai ishte ndër më të dobëtit dhe mjaftuan disa raste të pastra shënimi që nuk u konkretizuan për të kuptuar se nuk ishte dita e tij.
Pas përfundimit të ndeshjes, Mauro Icardi nuk dha asnjë intervistë për mediat, por atë çka kishte për të thënë e ka bërë përmes një postimi në Instagram.
Kapiteni shkruan se “i pranon me kënaqësi vështirësitë dhe pengesat si hapa të rëndësishëm që të dërgojnë drejt suksesit” por, njëkohësisht, në tekstin e tij, ai fton tifozët zikaltër të mbështesin skuadrën edhe në momente të vështira, me këta të fundit që ishin protagonistë në takimin kundër Bolognas duke vërshëllyer disa prej lojtarëve, përfshirë këtu edhe sulmuesin argjentinas.
Icardi shton se: “Nëse Interin nuk e do kur humbet, mos e duaj kur fiton!”
Në lidhje me kontestimet e tifozëve Spalletti, pas ndeshjes, u shpreh se i kanë ndodhur edhe më parë një gjë e tillë, por atij nuk i bëjnë përshtypje dhe se skuadra duhet të vazhdojë punën.
Ndërkohë partnerja dhe njëkohësisht menaxherja e Mauro Icardit, Wanda Nara, ka deklaruar se sulmuesi përpiqet gjithmonë të japë maksimumin për skuadrën dhe si kapiten i Interit ai është i pari që ndihet keq kur zikaltërit nuk fitojnë.
https://www.instagram.com/p/Btb-PIGHD4m/?utm_source=ig_embed







