Icardi i bëhet problem Interit, kërkon fanellën me numër 7

Football Italia raporton se sulmuesi argjentinas Mauro Icardi e ka zgjedhur fanellën me numër shtatë dhe se ai tashmë është duke e menduar qëndrimin te zikaltërit edhe për të paktën sezonin e ardhshëm.

Mauro Icardi dukej se do të largohej së shpejti nga skuadra e Interit, mirëpo insistimi i tij për t’u larguar vetëm për Juventusin e ka mbajtur atë ende në skuadrën e Antonio Contes në “San Siro”.

Argjentinasi ka mbetur jashtë stërvitjeve të ekipit të parë gjatë gjithë muajit të kaluar, përderisa Romelu Lukaku ia ka marrë atij fanellën me numër nëntë, pas transferimit të tij nga Manchester Unitedi.

Megjithatë, Sport Mediaset gjithashtu pretendon se Icardi ia ka kërkuar klubit fanellën me numër shtatë – shenjë që e dëshmon qëllimin e tij për t’u integruar në skuadër. Sipas të njëjtit medium, Interi e ka pranuar kërkesën e tij.

Interi është i gatshëm t’ia japë Icardit fanellën me numër shtatë, përkundër kjo është fanella e preferuar e Alexis Sanchezi, i cili raportohet se do të transferohet së shpejti nga Manchester Unitedi në formë huazimi.

Tani gjithçka mbetet në duart e trajnerit Antonio Conte, pasi që 26-vjeçari edhe e ka kërcënuar klubin se do t’i padisë në gjykatë nëse nuk e kthejnë sërish në ekipin e parë.

Ai do të akuzojë klubin me pretendimin se klubi po tenton ta detyrojë atë të largohet nga vendi i punës së tij përmes keqtrajtimeve, izolimit dhe frikësimit.

Nëse Icardi detyrohet të stërvitet i ndarë prej pjesës tjetër të grupit, ai mund ta fitojë këtë proces gjyqësor. Këtë gjë e kishte bërë Goran Pandev kur e kishte paditur Lazion që ia kishte përfunduar kontratën para kohe.

Një gjë e tillë do ta lejonte Icardin të largohej nga klubi si transferim i lirë menjëherë, përkundër që kontrata e tij në San Siro është e vlefshme deri në qershor të vitit 2021.

Të gjitha problemet filluan kur Icardit iu mor shiriti i kapitenit. Ky moment do t’i shërbejë Icardit si momenti kur klubi filloi ta keqtrajtojë.

Në anën tjetër, klubi mund të argumentojë se Icardi kishte refuzuar të stërvitej me pjesën tjetër të skuadrës zikaltër. Icardi pretendonte se nuk mund të stërvitej për shkak të një lëndimi të gjurit, mirëpo testet mjekësore zbuluan se lëndimi ishte minimal.

loading…