Ibrahimovic tregon si e lëndoi Materazzin, ish mbrojtësi i Interit me përgjigje epike

Një nga pjesët më interesante të intervistës së dhënë nga Zlatan Ibrahimovic për revistën GQ është ajo ku flet për një ndërhyrje të rëndë ndaj Marco Materazzit, të cilën suedezi e pranon se e kishte bërë me qëllim.

“Në një derbi të Italisë, Juventus-Inter të vitit 2006 (Zlatan atëherë ishte pjesë e bardhezinjve), m’u desh të dilja nga fusha pas një ndërhyrjeje vrasëse të Materazzit. Pasi kalova te Milani, gjatë derbit, në pjesën e dytë, e godita Materazzin me një lëvizje taekwondoje. E dërgova në spital. Stankovic m’u afrua dhe më pyeti përse e bëra. Dhe unë iu përgjigja: kam pritur katër vite për këtë moment, ja pse.”

E sigurisht, pas kësaj deklarate të Ibras, nuk mund të mungonte replika e ish mbrojtësit zikaltër, i njohur me nofkën Matrix. Ai ka postuar në Instagram një foto të festës së Championsit të 22 majit 2010, shoqëruar me mesazhin:

“Veni… Vidi…. Vici (Erdha… Pashë.. Fitova)!!! Gjithmonë e sidoqoftë FALEMINDERIT Ibrahimovic! Pa ty, nuk do ta kishim fituar kurrë.”

Në fakt, është një mesazh goditës, pasi Interi e fitoi Championsin pikërisht vitin që u largua gjiganti suedez, me Samuel Eto’o që luajti një rol kyç në formacionin që në atë kohë drejtohej nga Jose Mourinho.