Ibrahimovic pretendon 6 milionë euro në vit për t’u rikthyer te Interi

Për momentin Zlatan Ibrahimovic vazhdon të jetë i impenjuar me Los Angeles Galaxy në fazën play-off të Major League Soccer, ku do të përcaktohet skuadra fituese e titullit kampion për këtë vit.

Pas triumfit 1-2 ndaj Minnesota United, Galaxy do të sfidojë në çerekfinale Los Angeles FC në një derbi të nxehtë. Gjithsesi pasi të përfundojë ky sezon i MLS, Zlatan Ibrahimovic do të jetë një lojtar i lirë në treg, pasi ka vendosur të mos rinovojë kontratën me skuadrën amerikane.

Ibra dëshiron rikthimin në Itali dhe Interi mbetet një opsion real për të ardhmen e sulmuesit suedez. Zikaltërit nuk i kanë thënë jo propozimit të Raiolos që Zlatan të riveshë fanellën e Interit pasi trajneri Conte dhe drejtuesit e kanë marrë ndjeshëm në konsideratë një opsion të tillë.

Problemi i vetëm qëndron te kontrata afatgjatë që kërkon Ibra. Raiola i ka paraqitur kërkesat e klientit të tij Interit, me 38-vjeçarin që kërkon një kontratë për 2 vite e gjysmë me një pagë prej 6 milionë eurosh në vit.

loading…