Ibrahimovic komentoi dramën rreth Mbappes: Problemi është babai, nëna dhe njerëzit rreth lojtarëve

Zlatan Ibrahimovic ka folur mbi sagën rreth Kylian Mbappe, pasi Paris Saint-Germain nuk e mori francezin në stërvitjet parasezonale dhe dëshiron ta shesë këtë verë.

Klubi e ka kuptuar që ylli francez dëshiron të largohej falas vitin e ardhshëm dhe këtë gjë PSG nuk dëshiron ta lejojë.

Në një intervistë për Canal+, legjenda e PSG-së, Ibrahimovic ka folur për situatën e Mbappes me klubin.

“A bëri një gjë të mirë kur zgjati kontratën me PSG-në? Jo për veten e tij, po për PSG-në. Ai e vuri veten në një situatë ku ai është më i rëndësishëm se klubi, por nuk mund të jesh kurrë më i madh se klubi. Dhe kur një fëmijë bëhet kaq i fuqishëm, ai fiton para të lehta. Pastaj prindërit e tij bëhen agjentë”.

“Këtu humbet vetë-disiplina dhe identiteti juaj. Sot, me këtë gjeneratë të re, prindërit, baballarët, nënat, këdo që dëshironi, ata mendojnë se janë bërë yje”.

 “Ata flasin shumë në media, por duhet të mbyllin gojën. I takon djalit të punojë dhe të disiplinohet”, ka thënë Ibrahimovic.

Suedezi ka luajtur për katër sezone në klubin e Parisit, ku  shënoi 115 gola në 180 ndeshje.