Ibrahimi: VV-ja gaboi kur vendosi vija të kuqe me partitë tjera dhe e la të lirë LDK-në të kërkojë çfarë të dojë

Analisti Ilir Ibrahimi ka thënë se fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit është i qartë.

Ai thotë se është për t’u çuditur se si tani pas dy muajsh është ende e paqartë se a do të bëhet koalicioni mes VV dhe LDK-së.

Sipas tij nëse do të ekzistonte dëshira për t’u bërë koalicioni atëherë ai do të bëhej.

“Është e vërtetë që VV ka një strukturë të re. Edhe VV në këtë proces ta jep ndjenjën sikur nuk do të bëjë këtë qeveri. Tash edhe LDK edhe VV nuk po i shohin më parimet shtetërore por vetëm interesat e ngushta politike”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se VV-ja ka bërë gabim duke vendosur vija të kuqe me partitë tjera.

“VV ka bërë gabim duke vënë vija të kuqe me të gjithë dhe duke e lënë të lirë LDK-në të kërkojë çfarë të dojë”, ka thënë ai.

Sipas tij, asnjëra nga partitë nuk janë të gatshme për koalicion ashtu siç u paraqitën para certifikimit të zgjedhjeve.

Ai në Interaktiv të KTV-së tha se në një situatë të tillë duhet të arrihet marrëveshja, por sipas tij, kjo zvarritje duket sikur po shkon në shtyrje të qeverisë.

“Vetëvendosje me shtyrjen e qeverisë po mundohet ta shtyjë edhe negociatat e më pas mund të mbahen zgjedhjet në Serbi e të ndërrohet struktura udhëheqëse”, ka shtuar ai.

Duke folur për pozitën e presidentit, ai thotë se nuk beson që roli i presidentit duhet të jetë pjesë një dialogu të tillë.

“Debatohet e diskutohet shumë shpesh që presidenti në Kushtetutë ka këtë mandat apo këtë perspektive, por nëse lexohet Kushtetuta ashtu siç duhet nuk duhet të ketë një president partiak. Po shihet që në qeverisjen e Haradinajt është e vështirë të kesh dy persona të fuqishëm me kompetenca ekzekutive. Presidenti duhet të vije nga shoqëria e cila do të prezantonte një konsensus. Jahjaga ka qenë një personalitet i tillë e cila e ka luajtur rolin kushtetues”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se presidenti nëse zgjidhet nga populli do të kishte edhe më shumë fuqi.

Sipas tij, atëherë presidenti do të kishte më shumë kompetenca.

“Unë mendoj se këtu duhet të krijohen rrethana ku do të gjitha partitë duhet të pajtohen që presidenti të mos jetë nga asnjë parti politike”, ka thënë ai.

Ai thotë se për të arritur marrëveshjen mes VV-së dhe LDK-së duhet të bëhet ndonjë kompromis, për të vendosur vendin në një rehati nga lufta për presidentin.

Sipas tij argumentet që janë të barabartë në fitore nuk qëndrojnë sepse sipas tij, nëse ekziston edhe një votë më shumë atëherë je i pari.

Sipas tij, qytetarët kanë filluar të zhgënjehen sepse të dyja partitë e kanë vendosur interesin e tyre

“Nëse kështu kanë filluar nuk pres që do të ketë një qeverisje ashtu siç ka filluar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se presioni ndërkombëtarë do të jetë më i fuqishëm për krijimin e qeverisë.

Ibrahimi ka thënë se nuk mund të pritet 26 dhjetori pa asnjë marrëveshje. Sipas tij, pas kësaj date do të ketë zvarritje edhe më të keqe.

“Unë po shpresoj që VV dhe LDK do të arrijnë një marrëveshje. Vetëvendosje është e para dhe ka të drejtë nominimin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Vijat e kuqe nuk duhet të vihen sidomos në skenën politike”, ka thënë ai.

Sipas tij PDK duhet të mësojë se si është të jesh në opozitë.