Ibra sjell në Prishtinë bujën që vazhdimisht e shoqëron

Superylli i futbollit, Zlatan Ibrahimoviq, do t’i prijë sulmit të Përfaqësueses së Suedisë më 28 mars në ndeshjen kundër Kosovës.

Ibrahimoviq është përfshirë në listën e përzgjedhësit të Suedisë, Janne Andresson, prej 26 futbollistëve, që e ka publikuar të martën për ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”. Kthimi i Ibrahimoviqit te Suedia pas gati pesë vjetësh ka bërë bujë të madhe nëpër të gjitha mediumet botërore.

Ibrahimoviq, që është prej figurave më të popullarizuara të futbollit, ishte tërhequr nga Suedia pas përfundimit të “Euro 2016”. Te Suedia kanë pranuar se ai do të jetë ndihmë e madhe për ekipin e përzgjedhësit Andersson.

Sulmuesi 39-vjeçar, që është pjesë e ekipit nga Serie A, Milan, është golashënuesi më i mirë në histori të Përfaqësueses së Suedisë me 62 gola në 116 paraqitje.

Ibrahimoviq do të bëhet ylli më i madh që ka luajtur kundër Përfaqësueses së Kosovës deri më tani, si dhe në “Fadil Vokrri”.

Dueli mes Kosovës dhe Suedisë do të luhet pa praninë e shikuesve në tribuna për shkak të situatës me pandeminë COVID-19. I takon Grupit B eliminator të Botërorit që do të mbahet në fund të vitit tjetër në Katar.

Ibrahimoviq ka një karrierë të jashtëzakonshme si futbollist dhe suksese të mëdha. Ai ka luajtur në dy Botërorë (2002, 2006) dhe katër Evropiane (2004, 2008, 2012, 2016) për Suedinë për të cilën debutoi në vitin 2001. Sa i përket karrierës në nivel klubesh, Ibra krahas Milanit ka luajtur edhe te Malmo, Ajaxi, Juventusi, Interi, Barcelona, Paris Saint-Germaini, Manchester Unitedi e Los Angeles Galaxy.

Përzgjedhësi suedez Andersson ka pranuar se Ibra është dhe mbetet lojtari më i mirë që ka pasur ndonjëherë Suedia. Krahas ndeshjeve kualifikuese për Botëror, Andersson pret që Ibrahimoviqi të jetë ndihmë e madhe për Suedinë në Kampionatin Evropian që mbahet në verë.

“E para dhe më e rëndësishmja është se Ibrahimoviqi është një futbollist shumë i mirë, më i miri që e kemi pasur në Suedi. Sigurisht që është shumë argëtuese që ai dëshiron të kthehet. Përveç asaj që ai mund të kontribuojë në fushë, ai ka përvojë të jashtëzakonshme dhe mund t’ua bartë atë lojtarëve të tjerë në ekip”, është shprehur Andresson. “Po, ai do të jetë i përfshirë edhe në Evropian, sepse është pjesë e këtij ekipi. Të gjithë e njohin Ibrën, është një yll i madh dhe ka personalitetin e duhur”.

Megjithatë, Ibrahimoviq nuk do të kthehet te Suedia si kapiten pasi shiritin do ta mbajë qendërmbrojtësi Andreas Granqvist, të cilit i është besuar shiriti pas tërheqjes së sulmuesit nga Suedia në vitin 2016. Këtë e ka konfirmuar përzgjedhësi Andersson, që ka bërë të ditur se për këtë çështje ka folur edhe me Ibrahimoviqin kur i ka nisur bisedimet muaj më parë për rikthimin e tij te Suedia.

“Jo, Andreas Graqvisti do të jetë kapiten i ekipit. Këtë ua kam bërë me dije të gjithëve, përfshirë edhe Ibrahimoviqit, gjë që e ka pranuar. Ne kemi folur me të për shumë çështje para se të kthehet, por ato detaje mbesin mes nesh”, ka thënë Andersson.

Suedia të hënën (22 mars) do të grumbullohet për të filluar përgatitjet për ndeshjet e këtij muaji. Brenda gjashtë ditëve do t’i luajë tri ndeshje, dy në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022” dhe një miqësore. Më 25 mars Suedia do ta nisë në shtëpi këtë cikël eliminator me ndeshjen kundër Gjeorgjisë përpara se të përballet në udhëtim me Kosovën, tri ditë më vonë. Ndërsa më 31 mars do të kthehet në Solna për të luajtur miqësoren me Përfaqësuesen e Estonisë.

Përzgjedhësi Andersson ka folur edhe për pritshmërinë e tij në ndeshjet kualifikuese për botërorin “Katari 2022” dhe e ka vlerësuar lart Kosovën duke thënë se në radhët e veta ka lojtarë të mirë teknikisht. Ai ka shtuar se pak a shumë i njeh “Dardanët”, të cilët Suedia i kishte mposhtur në janar të vitit 2019 me rezultatin 1:0, në miqësoren e luajtur në Doha të Katarit. Por nuk luajtën më të mirët në të dy anët.

“Edhe Kosova, edhe Gjeorgjia kanë shumë lojtarë të mirë dhe të aftë teknikisht. Ne u takuam me Kosovën gjatë turneut të janarit në vitin 2019 dhe e dimë që është një ekip i aftë, edhe pse nuk ishte me ekipin më të mirë të mundshëm në atë kohë. Si zakonisht duhet të jemi të kujdesshëm në përgatitjet tona dhe të bëjmë paraqitje të mira për të pasur një fillim që e duam në kualifikime”, është shprehur Andersson që ka zbuluar edhe synimet e ekipit të tij në këto eliminatore. “Është një rrugë e gjatë për të arritur në Botërorin 2022, por ne duam të shkojmë atje dhe është e rëndësishme për ne që të kemi një start sa më të mirë në kualifikime”.

Ndërkohë, Ibrahimoviq ka bërë vetëm një reagim në rrjetet sociale për rikthimin e tij te Suedia. Pak minuta pasi është publikuar lista nga përzgjedhësi Andersson për ndeshjet e këtij muaji, Ibra ka postuar një fotografi me fanellën numër dhjetë të Suedisë, me mbishkrimin: “Rikthimi i Zotit”.

Ibrahimoviq këtë edicion po tregon një formë fantastike te skuadra e Milanit, me 16 gola të shënuar në 21 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.