I vunë flakën biznesit të 55-vjeçarit, pranga dy personave. Çfarë u gjet në banesën e të arrestuarit

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ku në Nikel të Krujës, u përfshi nga flaket një mobilieri.

Policia e Krujës, ka arrestur në flagrancë shtetasit A. M., 26 vjeç dhe N. M., 58 vjeç, banues në Tapizë, Krujë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, për motive të dobëta në bashkëpunim me njëri tjetrin, në orën 02:50, të datës 1 prill në Tapizë, i kanë vënë zjarrin mobilierisë në pronësi të shtetasit B. D.,55 vjeç, banues në Tapizë.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit të arrestuar N. M., është gjetur një armë zjarri “pushkë”, model 56, pa lejen përkatëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar në nenet 151/2, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.