I shënoi Lokomotivës, Ismajli kërkohet nga gjigantët ukrainas!

Dy ditë më parë, Ardian Ismajli, do të linte gjurmën e tij në një ndeshje të madhe si ajo mes Hajduk Splitit dhe Lokomotivës së Zagrebit. Falë golit të tij dhe asist të një tjetër shqiptari, Francesco Tahiraj, Hajduku fitoi ndaj Lokomotivës ku luan aktualisht, futbollisti tjetër i kombëtares, Myrto Uzuni.

Ai gol i shënuar ndaj Lokomotivës, mund të jetë më i rëndësishmi në karrierën e qendërmbrojtësit të kombëtares shqiptare. Teksa ai bënte paraqitje dinjitoze në fushën e lojës, në tribunën VIP të “Plodjud”, ishin disa skaut, të cilët kanë pasur një mision të posaçëm.

“Slobodnadalmacija.hr”, raporton këtë të martë, se në stadiumin e Hajdukut të dielën pasdite, ishin dhe disa vëzhgues, të cilët kanë pasur një qëllim, të ndiqnin lojën e Ardian Ismajlit.

Mësohet se personat kanë ardhur nga Ukraina për llogari të Shakhtar Donetsk, klubit gjigant ukrainas që duket se ka vendosur në radarë qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare. Kështu, sipas sajtit të sipërpërmendur, Ismajli, nëse vijon me paraqitje të mira gjatë pjesës tjetër të sezonit, mund të marrë një ofertë nga Shakhtar Donetsk në verë.

Shakhtar, e ka pasur në vëzhgim mbrojtësin e kombëtares shqiptare gjatë kohës që klubi i Hajdukut ishte në Antalia për përgatitjet dimërore. Këtu, të dy ekipet, Hajduk dhe Shakhtar, zhvilluan dhe një takim miqësor mes tyre, teksa duket se pikërisht paraqitja e qendërmbrojtësit kuqezi u ka lënë mbresa.