Vëllezërit Blerim dhe Haxhi Islamaj, 42 dhe 38 vjeç, u privuan nga jeta me 25 qershor në fshatin Madanaj të Gjakovës. Prokuroria Themelore e Gjakovës konfirmoi për Gazetën Express se motivi i vrasjes së dyfishtë ka ardhur si rrjedhojë e problemeve pronësore. I plagosur mbeti edhe i dyshuari Gj.Gj., i cili disa ditë qëndroi në spital nën mbikëqyrjen e policisë. Por, ai, tashmë është dërguar në qendrën e paraburgimit në Dubravë.
Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjakovës, Lekë Muqaj, duke theksuar se Gj.Gj., është duke vazhduar mjekimin edhe brenda qendrës së paraburgimit.
“Për rastin në fjalë ju njoftoj se i pandehuri gjendet në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, i njëjti është duke i marrë shërbimet shëndetësore brenda kësaj qendre”, tha Muqaj për Gazetën Express.
Gjykata ia ka caktuar një muaj paraburgim Gj.Gj., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.
Sipas kërkesës së prokurorisë, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20 në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor”.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës është në kërkim edhe të dyshuarit të dytë Zef Ademaj.
Prandaj, me qëllim që i njëjti të arrestohet, policia u kërkon qytetarëve bashkëpunim në dhënien e informatave nëse dinë diçka për vendndodhjen e tij.







