Kryetari i Gjilanit

Hyseni tregon se pse u anulua dy herë konkursi i shumëpërfolur për teknik të dhëmbëve në Gjilan, që në fund u fitua nga anëtari i VV-së

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, është deklaruar në lidhje me konkursin për teknik të dhëmbëve në njërën nga ambulancat e kësaj komune, konkurs ky i shumëpërfolur për shkak të dyshimeve se ka pasur parregullsi.

Ky konkurs është anuluar dy herë, e në herën e fundit i pari me pikë ka dalë Elion Gagica, i cili është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një konferencë për media të mërkurën, kryetari i Gjilanit teksa ka konfirmuar se Gagicën e ka mik, ka thënë se konkursi është anuluar dy herë për shkak të parregullsive.

“Konkurset janë anuluar për shkak të parregullsive. Konkursi nuk ka përfunduar ende. Ka pasur raste kur prej të tjerëve që kanë qenë pjesë e konkursit, është tregu se komisionet e mëhershme e kanë nxjerrur testin jashtë. Përderisa unë jam kryetar komune, testet nuk dalin jashtë. Dy herë është anuluar për parregullsi. Elion Gagica është mik i imi, është anëtar i Vetëvendosjes. Nëse i shihni rezultatet e tij, ai gjithmonë është i pari ose i dyti”, ka thënë Hyseni.

Ballkani.info gjatë ditë së enjte kishte raportuar në lidhje me konkursin për teknik të dhëmbëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nagip Rexhepi”, në Gjilan.

Jon Sadiku njëri nga kandidatët, i cili në njërin prej konkurseve në testin me shkrim kishte dal i pari, konkursi i cili më pas pa u mbajtur intervista u anulua, thotë për Ballkani.info se pyetjet e testit me shkrim në konkursin e fundit u përgatitën vetëm për Elion Gagicën.

Sipas Sadikut në këtë test me shkrim kishte pyetje për aparatura deri në 300 mijë euro e me të cilat nuk punohet në QKMF-në e Gjilanit si dhe për materialet me të cilat, sipas tij, punon Gagica.

“Në konkursin e fundit që është hap kam apliku, mirëpo tash në testin me shkrim ka pas pyetje për aparatura që kushtojnë 200-300 mijë euro e me të cilat nuk punohet tek ne, ne punojmë vetëm proteza klasike. Me një fjalë ambulanta ku punoj nuk është luks, është nevojë, aty njerëzit vijnë për nevojë, aty as nuk bëjmë ura, as nuk bëjmë zirkon, e as porcelan. Me këto materiale punon pikërisht Elion Gagica, që është i afërm i kryetarit, shok i kryetarit”, tha ai për Ballkani.info.

Sadiku thotë se për këtë ka shkuar disa herë që të ankohet në komunë, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Kam shkuar në komunë 3-4 herë, por nuk më janë përgjigj. Kur kam qenë në komunë jam takuar me asistentin e kryetarit, Hekuran Raputa dhe më ka thënë dil i pari në test dhe nuk ka kush që të bënë padrejtësi apo parregullsi. Kam dal i pari me pikë në test, kam shku në komunë, nuk ka mujt me taku askënd. Para një muaji kam qenë edhe te këshilltari i kryetarit, Ismail Kurteshi, mirëpo ishte i pa interesuar”, tregoi ai.

Jon Sadiku tregoi se tash ka mbetur edhe faza e intervistës, mirëpo siç tha ai nuk do të hyjë në intervistë, sepse dyshon për parregullsi.

LEXO EDHE: