QKMF “Nagip Rexhepi”

Dyshohet se shoku i Alban Hysenit do të zgjidhet teknik i dhëmbëve në QKMF-në e Gjilanit

Në konkursin për teknik të dhëmbëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nagip Rexhepi”, i cili hapet e mbyllet disa herë me radhë, po dyshohet të ketë parregullsi. Pasi që në këtë pozitë thuhet se do të zgjidhet Elion Gagica, shoku i kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni.

Jon Sadiku njëri nga kandidatët, i cili në njërin prej konkurseve në testin me shkrim kishte dal i pari, konkursi i cili më pas pa u mbajtur intervista u anulua, thotë për Ballkani.info se pyetjet e testit me shkrim në konkursin e fundit u përgatitën vetëm për Elion Gagicën.

Sipas Sadikut në këtë test me shkrim kishte pyetje për aparatura deri në 300 mijë euro e me të cilat nuk punohet në QKMF-në e Gjilanit si dhe për materialet me të cilat, sipas tij, punon Gagica.

“Në konkursin e fundit që është hap kam apliku, mirëpo tash në testin me shkrim ka pas pyetje për aparatura që kushtojnë 200-300 mijë euro e me të cilat nuk punohet tek ne, ne punojmë vetëm proteza klasike. Me një fjalë ambulanta ku punoj nuk është luks, është nevojë, aty njerëzit vijnë për nevojë, aty as nuk bëjmë ura, as nuk bëjmë zirkon, e as porcelan. Me këto materiale punon pikërisht Elion Gagica, që është i afërm i kryetarit, shok i kryetarit”, tha ai për Ballkani.info.

Sadiku thotë se për këtë ka shkuar disa herë që të ankohet në komunë, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Kam shkuar në komunë 3-4 herë, por nuk më janë përgjigj. Kur kam qenë në komunë jam takuar me asistentin e kryetarit, Hekuran Raputa dhe më ka thënë dil i pari në test dhe nuk ka kush që të bënë padrejtësi apo parregullsi. Kam dal i pari me pikë në test, kam shku në komunë, nuk ka mujt me taku askënd. Para një muaji kam qenë edhe te këshilltari i kryetarit, Ismail Kurteshi, mirëpo ishte i pa interesuar”, tregoi ai.

Jon Sadiku tregoi se tash ka mbetur edhe faza e intervistës, mirëpo siç tha ai nuk do të hyjë në intervistë, sepse dyshon për parregullsi.

“Mirëpo sipas meje më i përlyeri në këtë punë është shefi i shërbimeve, Taulant Ramadani, sepse ky është kryetari i komisionit.  Konkursi ende nuk ka përfunduar, kemi me hy në intervistë me gojë, por unë nuk po pranoj me hy në intervistë, sepse e pash në teste me shkrim që ka pas parregullsi. Në testin e fundit kam dal i dytë me pikë, i pari ka dal Elion Gagica”, tha Sadiku.

Ai tregoi më tej se si ka shkuar rrjedha e këtij konkursi në dy herët e kaluara.

“Stazhin e kam përfunduar te Qendra e Mjekësisë Familjare 6 muaj, pasi e kam përfunduar stazhin, kam punuar punë vullnetare pa pagesë një vit. Pas një kohe është hap një konkurs, mirëpo atëherë kam qenë pa licencë dhe nuk kam apliku, kanë aplikuar konkurrentë e tjerë, mirëpo për shkak që nuk kanë dal të preferuarit e kryetarit është prishë atëherë konkursi. Më vonë konkursi është hap prap dhe këtë herë kam apliku pasi që edhe e kam pas licencën. Kur kam hy në test me shkrim pyetjet kanë qenë përkatëse qysh punojmë edhe ne aty në institucion dhe kam dal i pari me 92 pikë. Komisioni kanë qenë në përkrahjen time, sepse kam grumbulluar më së shumti pikë. Ndërsa një ditë para se të mbahet intervista me gojë, është anuluar konkursi. Nuk jam ankuar, sepse nuk ka pas parregullsi në testin me shkrim”, ka përfunduar Sadiku.

Ballkani.info ka tentuar ta marrë një prononcim nga kryetari Hyseni, por ai nuk është përgjigjur në telefon. /Ballkani.info/