Sulmuesi i Llapit

Hyseni merr çmimin e Sportistit të Vitit në Podujevë

Komuna e Podujevës ka organizuar manifestimin tradicional të fundvitit, zgjedhjen e Sportistit të Vitit, ku u nderuan me mirënjohje sportistë, klube, punëtorë sportivë dhe donatorë.

Në manifestimin e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ku ishin të pranishëm kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, kryesuesi i Kuvendit Komunal Hilmi Hoxha, drejtorë komunal, Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë Njazi Jashari, sportistë, trajnerë, punëtorë sportivë dhe donatorë llapjanë.

Kryetari Bulliqi në fjalën e tij i përgëzoi sportistët llapjanë për rezultatet e treguara gjatë vitit 2023 si dhe ju uroj shëndet të mirë e suksese të reja në vitin 2024.

Kryetari Bulliqi tha “Gjatë këtij viti jemi angazhuar maksimalisht që sporti ta ketë vëmendjen e shtuar nga ana jonë si qeverisje komunale, kemi filluar ndërtimin e Qendrës Multifunksionale, renovimit dhe zgjerimit të palestrës sportive, rritjen e buxhetit për kategorinë e subvencioneve e shumë punë të tjera në dobi të sportit e sportistëve në përgjithësi” Kryetari Bulliqi u zotua se mbështetja për klubet me rezultate të larta dhe sportistët e dalluar nuk do të mungojë nga ana e komunës.

Gjatë kësaj mbrëmje u zgjodhën më të suksesshmit e sportit llapjan në vitin 2023.

MUHAMET HYSENI nga klubi i futbollit Llapi u shpall sportisti i vitit në Komunën e Podujevës.

Vendi i dytë i takoi Demahmet Sinani nga klubi i karatesë – KK boks Kroni, kurse vendi i tretë i takoi Ilir Krasniqit nga KF Llapi.

Klubi i vitit u zgjedh KF Llapi, kurse trajneri i vitit u zgjedh Mehmet Agushi.

Me epitetin Shpresë e Sportit u nderua Mërgim Cërnaverni nga KF Llapi.

Punëtori sportiv i vitit u zgjedhën Lumbardh Shala nga Klubi i Atletikes Llapi dhe Muhamet Rexhepi nga KF Llapi.

Donatori sportiv i vitit u shpall Zhitia Turist.

Gjyqtari i vitit u zgjedh Fatbardh Rrahimi.

Pedagogu sportiv i vitit u shpall, Gramos Latifi.

Për prezantimin e aktiviteteve dhe rezultateve të klubeve sportive llapjane me mirënjohje u nderua gazetari i Radio Llapi, Enver Hyseni.

Me mirënjohje u nderuan edhe sportistë të kategorive të reja, punëtorë sportivë, veteranë e gjyqtarë.

Me mirënjohje postmortum u nderuan Selatin Vokrri, Fehmi Podvorica, Bashkim dhe Vllaznim Restelica.