Hyseni: Është meritë eksluzive e Rugovës që nuk pati luftë më herët se në 98-99 në Kosovë

Bashkëpunëtori i Ibrahim Rugovës, Skënder Hyseni, ka rrëfyer për momentet e rënda kur ishte pranë tij në rrugën e Kosovës, në fillim për çlirim e më pas drejt pavarësisë.

“Ibrahim Rugova nuk është luhatur në asnjë rrethanë. Ai ka projektuar në plane afatgjatë, jo afatshkurta dhe jopersonale. Kur ishim në Rambuje, nata e parë me një delegacion prej 17 vetash dhe për fat të keq më kthen në zgjedhjet e fundit presidenciale të 98-ës. Shumë spekulime janë bërë se pse

Rugova ka mbajtur zgjedhje në këtë kohë, por kjo u bë sepse ai besonte në demokraci dhe po ashtu që të paktën të kishte një zë në Kosovë që duhet të jetë i verifikuar në votë demokratike dhe të mos ta kishte të vështirë të jetë i besueshëm në kauzën e tij për demokraci”.

“Rugova s’ka qenë i padijshëm që të mos e dinte se do të mund të ishte president jofunksional në rrethana të tilla. Kjo ka qenë çështje legjitimiteti. Të fitosh pushtet të votës që të flasësh në emër të dikujt”.

“Në Rambuje në natën e parë ka pasë nganjëherë, sikur ne shqiptarët që dijmë t’ia bëjmë vetes me gjak gjithçka, për kryetar të delegacionit erdhi dilema se ky bën apo ai s’bën dhe reagimi i Rugoëvës ka thënë se le të bëhet kushdo se kjo nuk ka rëndësi por duhet ta kryejmë këtë punë”.

Hyseni në Zona B tregoi për Rugovën se si e kishte ditur që Kosova do të ishte në protektoratin e NATO-s, prandaj edhe kishte nënshkruar pa humbur kohë.

“Unë mund të them se e njoh Rugovën më mirë se kushdo tjetër dhe atëherë më pat thënë se a e keni lexuar dokumentin e Rambujesë. Kur më pyeti se si m’u duk, i thashë se aneksi militar ushtarak është i mirë sepse na jep disa garanca që një forcë ushtarake do të na mbrojë, përkatësisht NATO”.

“Rugova më tha: Edhe unë e kuptova si njëfarë kontrate me NATO-n dhe më pas tha që t’i them Chris Hill që të nënshkruajmë nesër dhe të ecim në shtëpi. Ai aty e shihte protektoratin, atë që ndodhi pas bombardimeve të NATO-s “.

“Dikush mund të thotë se Rugova nuk i ka studiuar thellë gjërat, përkundrazi. Kishte një dije të anglishtes dhe i kuptonte në mënyrë milimetrike ato që shkruheshin aty, pra jo që i kishte lexuar, por i kishte përtypë.

“Ibrahim Rugova ishte vrapues në staza të gjata dhe ishte shumë vështirë të ruaje kondicionin me të. Edhe ata kundërshtarë poltikë që mund t’i kishte në Prishtinë apo Tiranë, mund t’iu them se ai nuk lodhej kurrë.

Hyseni tregoi edhe për një moment të ish-presidentit kur i ka parë refugjatët shqiptarë duke ikur nga Kosova.

“Vendosmëria që reflektonte dhe kauza që e kishte marrë që ta çojë tutje, kjo i bënte njerëzit që të besonin se është një njeri që synim kryesor e ka ruajtjen e substancës nacionale. Këtë e ka pasë synim parësor. “Toka pa njerëz është nocion gjeografik”, kështu thoshte shpesh”.

“Kur jemi kthyer nga Parisi dhe hymë në Elez Han, qytet që ngjante si fantazmë ku në njërën ishte hekurudha dhe vargu i njerëzve që dilte ne Maqedoni. Aty unë e kam parë të thyer Ibrahim Rugovën dhe më është kthyer nga unë dhe tha: Çka të duhet toka pa njerëz?”.

Bashkëpunëtori i Rugovës thotë se ai kishte të gjitha meritat që lufta në Kosovë nuk shpërtheu edhe para viteve 1998-1999.

“Ai i ka vurë veten mision që ta ruajë substancën. Fiskullturat politike të ndryshme në ish-Jugosllavi dhe konflikti në Kroaci të mos shpërthejë në Kosovë, ofertat gjeneroze të presidentit kroat që të shtrihej konflikti në Kosovë dhe të shpëtonte Kroacia pa luftë siç shpëtoi Sllovenia. Pse kjo nuk kanë ndodhur në 1991, 1992, 1993 është meritë ekskluzive e Ibrahim Rugovës. Askush nuk ka pasë iluzion, as Rugova dhe as njerëzit e afërt në ekipin e tij që do të kalojë kjo punë pa tollovi. Ai e ka pasë program politik që të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës dhe pastaj të mos e kemi problem edhe nëse kërset diçka aty-këtu. Po deri atëherë jemi të humbur. Paramendo çfarë do të ndodhte sot në Kosovë po të mos ishte ai aneksi ushtarak i marrëveshjes së Rambujesë?”.

“Unë po e them që Rugova ka qenë një nacionalist modern edhe pse vetë s’e ka thënë. Nacionalizmi modern nuk nënkupton urrejtje për të tjerët, por dashuri për veten aq sa për të tjerët, që e do popullin e vet. Padyshim që këtë e ka bërë Rugova”.

Hyseni ka treguar edhe se si e mori vendimin Rugova që të dilte vetë në publik dhe të tregonte për sëmundjen e kancerit që kishte.

“Akti i varrimit dhe ai mal njerëzish dhe pjesëmarrësit ndërkombëtarë flet që Rugova edhe ditë ne parë i shtrirë i kaluar në amshim i ka bërë një shërbim tjetër madhor vendit vet. I gjithë bota i ka pasë sytë ka Rugova, ka lideri që shkoi dhe po e bën vendin të pavarur. Të vetmin objektiv e ka pasë ta shohë Kosovën e pavarur, të njohur botërisht”.

“Ditën kur u përhapën fjalët se Rugova ka kancer kam pasë shumë presion nga gazetarët dhe kam konsideruar se nuk duhet thënë asgjë pa e marrë miratimin e Rugovës. Me Muhamet Hamitin jemi zier për çfarë të bëjmë. I kam thënë atij eja të shkojmë dhe ta takojmë. Unë pak jam ligë në atë moment dhe pyetja ishte se si t’ia bëjmë me mediat. Ai tha se kjo bëhet lehtë dhe tha thërrisni një konferencë për media sepse dua t’ia kumtoj njerëzve vetë. Ma thoni një rast të një burrështetasi që e ka bërë këtë? Ai s’ka pasë komplekse të asaj natyre”.

Si do të sillej Rugova sot sipas Hysenit?

“Edhe LDK e sotme të ishte fituese e zgjedhjeve mbase do të sillte ngjashëm si Rugova, por është e dyta. Rugova ishte njeri i projekteve dhe jo i cikërrimave dhe besoj se një pjesë e këtyre kanë mbetur edhe në LDK-në e sotme. Por, LDK-ja në këto zgjedhje nuk ka qenë fituese dhe i takon fituesit të demonstrojë lidership. Por është vështirë të gjesh një figurë të ngjashme me Ibrahim Rugovën. Ai është i pazëvendësueshëm”.