Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Komunën e Fushë Kosovës, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Valon Prebreza, nënkryetari Shpend Bardiqi dhe drejtori për Infrastrukturë, Arianit Tërmkolli.
Përmes një postimi publik, Durmishi ka shprehur krenarinë e tij për angazhimin e aktivistëve të Lëvizjes në qeverisje dhe në shërbim të qytetarëve, duke theksuar se kjo është dëshmi e përkushtimit ndaj interesit publik.
Ai ka bërë të ditur se Fushë Kosovën e presin shumë projekte infrastrukturore, të cilat synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e komunës. Sipas Durmishit, institucionet lokale dhe qendrore janë të përgatitura për punën që i pret dhe një pjesë e saj tashmë ka filluar.
“Na pret shumë punë, punë për të cilën jemi të gatshëm dhe që veçse e kemi filluar,” ka theksuar ai, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për realizimin e projekteve të planifikuara.
Vizita u vlerësua si një hap drejt forcimit të bashkëpunimit dhe përshpejtimit të investimeve infrastrukturore në Komunën e Fushë Kosovës.







