Hysen Durmishi i përgjigjet akuzave të PDK-së për keqpërdorim të 9 milionë eurove

PDK-ja e akuzoi sot Ministrinë e Infrastrukturës së ka nënshkruar 42 kontrata njëburimore, në mënyrë të negociuara, që kanë vlejtur 9 milionë euro. Për këtë, u akuzua veçanërisht zëvendësministri Hysen Durmishi. Për këto akuza është përgjigjur sot Durmishi.

Zyrtarët e lartë të PDK-së kanë dalë sot në një konferencë për të folur për atë që, sipas tyre, është një “super aferë” e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ata kanë shpërndarë për media edhe listën me kontrata në të cilat PDK-ja pretendon se janë bërë keqpërdorimët. Për këto kontrata është deklaruar zv.ministri Durmishi.

Ai thotë se këto janë anek-kontrata, të parashikuara me ligj, për punët shtesë.

“Këto të gjitha janë aneks-kontrata, të cilat janë të përcaktuara me ligj, janë aneks-kontrata për punët shtesë. Domethënë ne vetëm një kontratë të negociuar e kemi realizuar në Ministrinë e Infrastrukturës, vitin e kaluar. Shumica prej tyre janë kontrata të vjetra, domethënë të kaluara që kanë qenë kërkesa për punë shtesë të cilat i kanë kaluar krejt procedurat, por vetëm ka mbetur pa u nënshkruar”, tha Durmishi për Kallxo.com.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për nënshkrimin e 42 kontratave njëburimore, vlera e të cilave arrin mbi nëntë milionë euro.

Duke thënë se nënshkrimi i kontratave të tilla nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, Tahiri në një konferencë për media, të hënën, ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetime për këto kontrata.

“Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga z. (Liburn) Aliu dhe z.(Hysen) Durmishi kanë nënshkruar 42 kontrata njëburimore, vlera e të cilave arrin mbi 9 milionë euro. Nënshkrimi i këtij numri të kontratave njëburimore, pa konkurrencë, në mënyrë të negociuar, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Ky është një rast për Prokurorinë e Kosovës sepse shpenzohen rreth 9 milionë euro, apo 10 për qind e buxhetit të kësaj ministrie të shkojnë në punë të paparashikueshme, është e patolerueshme dhe kërkojmë nga Prokuroria që të hetojë mbi këto kontrata”, ka thënë ai.

Në konferencë, e pranishme ishte edhe deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, sipas të cilës, këto shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik “janë argumentuar”.