Hysen Durmishi foli për plane e miliona të Sami Lushtakut, reagon i biri: Ju jeni hajna të pafytyrë

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka reaguar pas deklaratave që bëri sot zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi i cili ka thënë se me ardhjen e Qeverisë Kurti, janë prishur planet e njerëzve të liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt dhe të Sami Lushtakut të cilët sipas tij, fitonin miliona nga Ministria e Infrastrukturës.

Lushtaku ka thënë se deklaratat e Durmishit janë bërë për të tërhequr vëmendje nga skandali i përgjimeve të fundit në Ministrinë e Infrastrukturës, teksa shtoi se, për këto veprime, Hysen Durmishi do të përgjigjet në gjykatë.

“Tash, për të shpërqendruar vëmendjen, disa zagarë të Albin Kurtit po merren me mua e me babain tim. Hysen Durmishi do të përgjigjet në gjykatë për shpifjet që i bën kur përmend Sami Lushtakun.

Fillimisht do të përgjigjeni në gjykatë për skandalin e përgjimeve rreth dallavereve që ju i bëni në Ministri. Ju jeni hajna të pafytyrë”, shkroi Lushtaku në Facebook.

Reagimi i plotë i Lushtakut:

Ditëve të fundit ka shpërthyer afera në Ministrinë e Infrastrukturës. Ky supërskandal ka emër e mbiemër. Ajo është e lidhur direkt me udhëheqësit e kësaj ministrie.

Tash, për të shpërqendruar vëmendjen, disa zagarë të Albin Kurtit po merren me mua e me babain tim. Hysen Durmishi do të përgjigjet në gjykatë për shpifjet që i bën kur përmend Sami Lushtakun.

Fillimisht do të përgjigjeni në gjykatë për skandalin e përgjimeve rreth dallavereve që ju i bëni në Ministri. Ju jeni hajna të pafytyrë.

Albin lidhi zagarët!