Hysamedin Feraj: S’kam dyshime për luftën e Ramushit, por s’mund t’i akuzojë të tjerët pse janë gjallë

Hysamedin Feraj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti i ka quajtur perverse pyetjet e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj në një intervistë të dhënë së fundmi, lidhur me vuajtjet e shqiptarëve në burgjet serbe.

Feraj në Prime Time tha se deklaratën e fundit ndaj Haradinajt, e bëri pikërisht për të sjell në pahë siç thotë ai “perversitetin e Haradinajt”.

“Ai ka dhënë shembuj njerëzish që janë vrarë. Dhe unë kam dhënë shembull se si vëllezërit e Ramushit janë vrarë e ai jo. Unë i kam dhënë përgjigje Ramushit për pyetjen që ai është duke bërë. Haradinaj akuzon njerëzit pse janë gjallë, pse nuk kanë vdekur. Kjo është perverse. Unë e bëra këtë pyetje për të sjell në pah perversitetin e Ramush Haradinajt. Të gjitha historitë unë i kam parasysh”, tha Feraj në Prime Time.

Ai ka pyetur nëse Haradinaj di se sa vuajtje ka përjetuar Kurti në burgjet e Serbisë.

“Nëse Haradinaj e ka bërë atë pyetje dhe askush nuk është zemëruar sepse e bën Haradinaj, atëherë askush nuk është i legjitimuar që të kundërshtoj. A i di Haradinaj vuajtjet e Albin Kurtit nëpër burgje? “S’kam asnjë dyshim për vrasjen e vëllezërve të Ramushit. S’kam dyshime as për luftën e Ramushit, por kjo se legjitimon t’i akuzojë të tjerët pse janë gjallë”, shtoi më tej ai.