Hysaj nuk ia del të transferohet te Roma, mbetet te Napoli

Roma ka vendosur të huazojë Davide Zappacostan për të mbushur boshllëkun që do të krijohej nga largimi i Santon drejt Maiorcas, duke mbyllur kështu çdo hapësirë për transferimin e Elseid Hysajt në kryeqytetin italian.

Tashmë merr gjithnjë e më shumë jetë hipoteza e qëndrimit te shkodranit te Napoli edhe pse ishte i shumëkërkuar në merkato.

“Telenovela” e anësorit shqiptar e ndez edhe më shumë debatin te Napoli rreth kërkesave të larta financiare për lojtarët që do të shiten nga klubi i drejtuar nga presidenti De Laurentiis.

Për rastin e Hysajt, Napoli fillimisht refuzoi ofertën prej 15 milionë eurosh të Atletico Madridit, më pas kërkoi nga Roma 3 milionë euro për huazimin dhe me detyrim blerjeje për 17 milionë.

Roma në fund preferoi huazimin e Zappacostas nga Chelsea, pa shpenzuar për kartonin e tij dhe pa qenë e detyruar që ta blejë në të ardhmen.

Duke parë aftësitë e përshtatjes që ka, Hysajt nuk i mbetet gjë tjetër veçse të luftojë për rolin e titullarit në të djathtë dhe në të majtë të mbrojtjes, por edhe në qendër, në rast emergjence.

Gjithsesi, me 4 anësorë, 2 për çdo krah dhe 5 qendrorë në dispozicion të Ancelottit, Hysaj rrezikon të mbetet gjatë gjithë kohës në stol, duke zhvlerësuar edhe më shumë vlerën e tij.

loading…