E ardhmja te Chelsea

Hysaj mund të largohet nga Napoli që në janar

Merkatoja e dimrit ka “ndezur” motorët edhe për skuadrat e Serie A, megjithëse lëvizjet në këtë periudhë janë me pikatore.

Napoli po mendon të përforcojë organikën me Kouaume të Genoas, ndërsa në dalje lëvizja më e mundshme është largimi i Elseid Hysajt drejt Chelseat.

Mediat prtej Adriatikut kanë shkruar në vazhdimësi për të ardhmen e mbrojtësit shqiptar, që lidhet ngushtësisht me Maurizio Sarrin, teknikun aktual të bluve të Londrës.

I transferuar në kryeqendrën e Campagnas pikërisht nga tekniku toskan në vitin 2015 (e kishte nën urdhrat e tij tek Empoli), Hysaj ka qenë titullar i padiskutueshëm për dy sezone radhazi, por me mbërritjen e Ancelottit, situata ka ndryshuar.

Trajneri italian kërkon një mbrojtës të djathtë që ka më shumë cilësi në fazën sulmuese, ndaj gjatë fazës së parë të sezonit Hysaj e ka humbur vendin e titullarit. Vlera e kartonit të shkodranit u rrit deri në 50 milionë euro pikërisht falë vazhdimësisë në fushë, ndaj dhe presidenti De Laurentiis nuk do ta humbiste mundësinë për ta shitur që tani, në janar, me një vlerë relativisht të lartë.

Edhe dëshira e futbollistit 24-vjeçar është të provojë një aventurë të re në Londër, ku dëshiron të zhvendoset me gjithë familjen e tij.