Humbja e thellë në derbi, Ramadani e “ngushëllon” veten me dhjetë fitoret ndaj Dritës gjatë karrierës së tij në Kosovë

Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani është lajmëruar sërish përmes Facebookut të tij personal pas disfatës së thellë nga Drita në derbin e Anamoravës.

Trajneri shqiptar nga Shkupi ka publikuar në llogarinë e tij dhjetë fitoret ndaj Dritës gjatë karrierës së tij me ekipe të tjera që drejtoi në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Në atë postim në Facebook, përkundër ironisë me “bardhekaltrit”, Zekirija Ramadani ka marrë përgjegjësinë për “turpërimin” që ia bëri Drita në derbin numër 41 të Anamoravës.

“Edhe unë do e humb një ndeshje prej Dritës. Përgjegjësia maksimale është e imja për këtë humbje. Kokën lart, kthehemi më të fortë. Forca djema”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Gjilani nuk dinte për humbje në derbi në pesë përballjet e fundit, deri në takimin e sotëm.

Ramadani pas ndeshjes në deklaratë për ArtSport tha ndër tjerash se kishte gabuar në përzgjedhjen e 11-shes startuese.