Humb betejën me koronavirusin biologu Besnik Hallaçi, që zbuloi “Tulipanin Shqiptar”

Covid-19 i ka marrë jetën në moshën 64-vjeçare, Drejtorit të Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Kukës, Besnik Hallaçi, biolog dhe ambientalist i njohur në rang kombëtar dhe ndërkombëtar dhe zbulues i “Tulipanit Shqiptar” ndryshe “Tulipani i Kukësit”.

Ai prej dy javësh ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” aty ku dhe po merrte trajtim të specializuar për koronavirusin. Lajmin e kanë bërë me dije miqtë e tij në mediat sociale.

“Lajm i trishtë për humbjen e jetës së biologut pasionant e drejtuesit model në rrethin e Kukësit, ngushëllime familjes, të afërmeve , shokëve e miqve të tij. Lamtumirë Besnik Hallaçi , paç dheun e lehtë”, u shpreh në rrjetet sociale prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana.

Edhe kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, shprehu ngushëllime për humbjen e biologut. “Me dhimbje të thellë dhe hidhërim të madh mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur nga kjo pandemi famëkeqe të biologut të njohur kuksian Besnik Hallaçi. Më lejoni që në këto momente të dhimbshme t’i shpreh familjes, të afërmve të tij ngushëllimet më të sinqerta, në emrin tim personal dhe të qytetarëve kuksian. U prehsh në paqe!”, shkroi në Facebook kryebashkiaku i Kukësit.

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit. Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë. Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.