Diplomati rus, i cili u dëbua nga Brukseli për spiunazh të dyshuar dhe me shpjegimin se u angazhua në “veprimtari të paligjshme dhe përçarëse”, është vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale në Serbi si pjesë e misionit të OSBE-së, organi më i madh i sigurisë në Evropë, sipas një hetimi të Radio Free Europe (RSE).

Aleksandar Studenikin, 49 vjeç, ishte këshilltar në misionin e përhershëm të Rusisë në BE në Bruksel, kur në prill të vitit 2022, dy muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, ai dhe 18 diplomatë të tjerë rusë u shpallën persona non grata, transmeton Ballkani.info.

BE-ja njoftoi se diplomatët rusë nga lista e zezë janë të angazhuar në aktivitete “kundër interesave dhe sigurisë së BE-së dhe shteteve të saj anëtare”.

Studenikin tani është në mesin e grupit prej 30 vëzhguesve zgjedhorë që më 17 dhjetor të këtij viti përfaqësojnë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në zgjedhjet në Serbi për parlamentin dhe asambletë e 65 komunave.

Raportet e mediave sugjeruan më parë se Studenikin ishte një punonjës i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, i njohur si SVR. Një zyrtar i lartë evropian me akses në informacionin e klasifikuar i tha gjithashtu RSE se Studenikin punon për SVR, megjithëse vetë Studenikin mohon çdo lidhje me shërbimet e inteligjencës.

Studenikin është një nga katër rusët në listën e vëzhguesve afatgjatë në misionin e vëzhgimit të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).

Këta vëzhgues janë përgjegjës për monitorimin e të gjithë procesit zgjedhor, domethënë, siç specifikohet në faqen e OSBE-së, ata janë të ngarkuar për mbledhjen e informacionit dhe “të kuptuarit më të thellë të procedurave të përgjithshme administrative dhe rrethanave të fushatës”.

Grupi përfshin gjithashtu vëzhgues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Danimarka, Bjellorusia dhe shtatë vende të tjera.

Emërimi i Studenikin është i përkohshëm, por ka disa tregues se Serbia është bërë një destinacion i shpeshtë për diplomatët rusë të dëbuar nga BE.

Hulumtimi i RSE në mars të këtij viti tregoi se të paktën tre diplomatë rusë, të lidhur me shërbimet e inteligjencës ruse dhe të futur në listën e zezë nga vendet anëtare të BE-së, vazhduan karrierën e tyre si diplomatë rusë të akredituar në Serbi.

Serbia është një nga vendet e pakta evropiane që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Kremlini.

Dëbimet e diplomatëve rusë vijnë pasi qeveritë e BE-së futën në listën e zezë qindra anëtarë të trupit diplomatik pas pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit 2022, me disa shtete anëtare të BE-së që përmendën spiunazhin e dyshuar si arsye për dëbimet.

Zgjedhjet serbe po mbahen mes presionit në rritje nga vendet perëndimore ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Partia Progresive Serbe në pushtet dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq janë ende në koalicion me partitë që konsiderohen pro-ruse.

Aleksandar Vuçiq ka theksuar vazhdimisht se është në favor të anëtarësimit në BE, duke ruajtur në të njëjtën kohë lidhje miqësore me Rusinë, e cila ka mbështetur Beogradin në disa mosmarrëveshje me Perëndimin.

Rusët që punojnë për OSBE-në kishin probleme edhe në periudhën e mëparshme kur hynin në disa vende të BE-së. Vitin e kaluar, autoritetet polake shpallën persona non grata dy zyrtarë rusë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, duke shpjeguar se ata përfaqësojnë një “kërcënim për sigurinë e shtetit”.

Darja Bojarska, një zyrtare e OSBE-së, u arrestua në kufirin Lituano-Rusi ndërsa përpiqej të vizitonte të afërmit në Kaliningrad. /Ballkani.info/