Hoxhaj thotë se Osmani duhej të reagonte: Kurti ndërhyri në zgjedhjet në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani, do duhej të reagonte karshi zhvillimeve të fundit politike që ndodhën në vend, dhe mos të qëndronte e heshtur.

Hoxhaj vlerëson se në këtë mënyrë, Osmani duket sikur zbaton platformën e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa hedh dyshime në respektimin e saj ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Albin Kurti ndërhyn në zgjedhje në Shqipëri, me partinë e tij”.

”Pyetja bazike edhe për ne sonte mund të jetë, por mund të jetë për zonjën Osmani, ‘’A e ushtron pozitën e presidentit në përputhje me politikën e fqinjësisë së mirë? A e respekton Kushtetutën e shtetit të Kosovës?  Apo e zbaton platformën e Lëvizjes Vetëvendosje”.

”Shefi i shtetit, është udhëheqës i politikë së jashtme është Komandant Suprem, është mbrojtës i demokracisë, dhe nëse ne kemi një situatë që një tirani e shumicës në numra, ku mund të përkthehet në metoda autokratike, mendoj që i takon presidentit prej të parëve të reagojë në situata të tilla”.

”Por, ne nuk jemi opozitë në raport me Vjosa Osmanin. Por atë çfarë kemi pretenduar, atë e ka treguar Osmani pas zgjedhjes së saj president.

Besa na ka habitur qëndrimi i kolegëve tanë opozitar i LDK-së. Që pa ndonjë kusht, pa ndonjë arsye, po sigurisht me ndonjë marrëveshje për zgjedhje lokale apo ndonjë marrëveshje të fshehtë vendosën ta mbështesin pushtetin absolut të Albin Kurtit”.